2014-08-10 11:02:52

E diela XIX gjatë vitit


Leximi i parë (1 Mbr 19,9.11-13)

Në atë kohë, si arriti në Malin Horeb, Elia e kaloi natën në shpellë. Dhe, ja, iu drejtua fjala e Zotit e i tha: “Ç’bën këtu, Eli? “Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit”. Dhe ja, po kalonte Zoti! Para tij u çua një stuhi: erë e fortë! Tundte malet e thërmonte qetat para Zotit: por Zoti nuk ishte në stuhi! Pas stuhisë ra tërmeti! Por Zoti nuk ishte në tërmet! Pas tërmetit erdhi zjarri! Por Zoti nuk ishte në zjarr! Pas zjarri një puhi fryme të hollë. Kur e dëgjoi këtë Elia, e mbuloi fytyrën me leshnik, doli jashtë dhe qëndroi në derën e shpellës.

Nga Psalmi 85 (84)

Ref. Na e jep, o Zot, paqen e pranisë sate

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.
Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

Leximi i dytë (Rom 9, 1-5)

Vëllezër, them të vërtetën në Krishtin ‑ nuk rrej ‑ dëshmitare kam ndërgjegjen time bashkë me Shpirtin Shenjt: ndiej në zemër një trishtim të madh dhe dhimbje të vazhdueshme. Po, do të dëshiroja unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi, në vend të bashkëkombasve të mi për kah gjaku. Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet; të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj. Amen.

Ungjilli (Mt 14,22-33)

Pastaj aty për aty Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.
Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. Por, menjëherë Jezusi u tha: “Guxim, jam unë, mos kini frikë!”
Pjetri u përgjigj: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”
“Eja!” ‑ i tha.
Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!”
Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dyshove!”
Kur hynë në barkë, pushoi era. Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë: “Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”


Hyji pranë njerëzve

Leximet paraqesin dy skena të dëftimit hyjnor: Hyji i dëftohet Elisë në puhizën e lehtë, tek hyrja e shpellës së Orebit; Hyji u dëftohet apostujve, në veçanti Pjetrit, me anë të Jezusit, i cili i urdhëron detin (leximi i parë dhe ungjilli). Përmbajtjen e mesazhit të këtyre dy dëftimeve na e tregon Psalmi i sotëm, i cili flet për shëlbimin tashmë fare afër, duke përdorur terminologjinë e pasur të mëshirës, të paqes, të hirit, të besnikërisë, të drejtësisë...

Hyji është me ne, ai është afër dhe e ndihmon Kishën e vet

Hyji i vjen në ndihmë njeriut veçanërisht në çastet kur njeriu ka nevojë dhe e thërret me fe. Hyji i profetëve dhe i Jezusit është Hyji që merr nën mbrojtje të varfrit dhe të dobtët. Ai nuk i përmbush shpresat e atyre që dëshirojnë ta përdorin si të duan fuqinë e tij. Nuk gjendet në fenomenet natyrore madhështore dhe të dhunshme: era, tërmeti, zjarri; por në hukatjen e lehtë të puhizës. Kështu e tregon ai natyrën shpirtërore dhe intime me të cilën i dëftohet njeriut.
Bashkësia e krishterë jeton një ekzistencë të mundimshme, për shkak të forcave kundërshtare, të cilat shfaqen me anë të përndjekjeve dhe të vështirësive të brendshme e të jashtme. Vetëm me forcat e veta njeriu nuk do të ishte kurrë në gjendje t’i shkonte rrugës gjer në fund. Por Jezusi i ringjallur është i pranishëm mes të vetve: edhe pse është i padukshëm, ai i ndihmon.
Në këtë mënyrë Kisha rijeton përvojën e shtegtimit të Daljes. Feja e saj, sikurse feja e Pjetrit, vihet në provë, por dora e Jezusit, që e shpëton nga fundosja, nuk i mungon asnjëherë. Jezui i jep Kishës së vet fitoren mbi forcat e së keqes dhe sigurinë në sprovë, por kërkon si kusht themelor mirëbesimin, pa u lëkundur.
Vetëm feja është fitimtare, feja e të krishterit, që ecën drejt Zotit të ringjallur, në mes të stuhisë. Feja, që, nganjëherë, siç ndodhi me Pjetrin, na shtyn të shkojmë larg, na shtyn t’i braktisim siguritë e mirëqena të tokës, për të hyrë në ujra të thella.

Hyji është Tjetri-absolut

Të pohosh se Krishti e ka mundur perandorinë e së keqes do të thotë të pranosh përmasat kozmike të veprës së tij. Para tij, solidariteti në mëkat përfshinte mbarë krijesat: ai e këput këtë lidhje. Fitorja e të krishterit, prandaj, nuk është vetëm fitore mbi vetveten. Ajo ka një jehonë kozmike. I krishteri e mund me të vërtetë botën dhe i mban nën pushtet elementet e saj, sikurse Krishti dhe Pjetri mbajtën nën pushtet detin. Misioni i të krishterit është ta trondisë pushtetin e të keqes në të gjitha fushat në të cilat ajo shfaqet.
Por Fjala e Hyjit (leximi i parë) thekson edhe një tjetër aspekt të misterit të Hyjit dhe të vizionit fetar të gjithësisë. Përvoja e Elisë e bën të kuptojë se Hyji nuk gjendet në fenomenet natyrore: uragani, tërmeti, rrufetë, ku zakonisht e vendosin Hyjin paganët dhe fetë e natyrës; ai nuk është as në zjarr, ku e përfytyronte tradita hebraike (Dal 19,18).
Hyji nuk është nën pushtetin e asnjërit nga elementet që ka krijuar vetë. Përvoja e Elisë e shpreh në mënyrë domethënëse fenë e jetuar në botën moderne. Duke qenë se shkenca e ka “profanizuar” natyrën dhe botën, në këtë mënyrë i ka shërbyer idesë së Hyjit, sepse Hyji nuk mund të mbyllet në kategoritë njerëzore, prandaj nuk gjendet nël fenomenet e natyrës dhe nuk është i arritshëm brenda tyre: ai është Tjetri-absolut.

Njeriu e zbulon me anë të shenjave

Në botën ateiste të shekullarizuar, Hyji nuk i flet besimtarit kryesisht me anë të natyrës dhe fenomeneve kozmike, por besimtari e njeh Hyjin nëpërmjet “shenjave të kohës”, që zbulojnë vullnetin e tij, projektin e tij për botën dhe për njeriun. Ai nuk e ndjen Hyjin nëpërmjet gjuhës së krijesave, e cila, edhe pse është e mrekullueshme, mbetet e paqartë, por nëpërmjet shenjës së privilegjuar të Hyjit në botë: njeriu, i krijuar në shëmbëllimin dhe përngjasimin e Hyjit, e zbulon praninë e tij në qenien e vet, në historinë e vet, në aspiratat e veta të thella, me të cilat “njeriu e tejkalon pafundësisht njeriun” (Paskal).
“Duke qenë se gjithça është krijuar në Krishtin, nëpërmjet Krishtit, për Krishtin, çdo aspekt i së vërtetës, i bukurisë, i mirësisë, i dinamizmit, që gjendet tek gjërat dhe në tërë universin, në institucionet njerëzore, në shkenca, në arte, në të gjitha realitetet tokësore dhe në veçanti tek njeriu e në histori: të gjitha këto janë shenja dhe udhë për të shpallur misterin e Krishtit”.


Hyji, humnerë dashurie
(Nga “Dialogu i Provanisë Hyjnore” i Shën Katerinës nga Siena, virgjër)

O Zoti im, drejtoje shikimin e mëshirës sate mbi popullin tënd dhe mbi trupin mistik të Kishës së Shenjtë. Ti do të lavdërohesh shumë më shumë nëse fal dhe u jep dritën e mendjes shumë njerëzve, sesa kur të nderon vetëm një krijesë e mjerë, si unë, që shumë të kam fyer dhe kam qenë shkak e vegël e shumë të këqijave. Çfarë do të kisha unë, po të mbesja gjallë unë dhe po të vdiste populli yt? Çfarë do të mbetej, nëse, për shkak të mëkateve të mia dhe të krijesave të tjera, do ta shihja në errësirë Kishën, Nusen tënde të dashur, që ka lidur për të qenë dritë?
Të kërkoj, pra, mëshirë për popullin tënd, në emër të dashurisë së pakrijuar, që të shtyu ty të krijosh njeriun në shëmbëllimin dhe përngjasimin tënd.
Cila qe arsyeja që ti i dhe kaq shumë dinjitet njeriut? Sigurisht, dashuria e paçmueshme me të cilën e shikove në veten tënde krijesën tënde dhe e dashurove. Por, pastaj, duke mëkatuar, ajo e humbi sublimitetin në të cilin e pate lartësuar. Ti, i nxitur nga i njëjti zjarr me të cilin na ke krijuar, deshe t’i dhuroje gjinisë njerëzore mjetin për t’u pajtuar me ty. Për këtë arsye na ke dhënë Fjalën, Birin tënd të vetëm. Ai qe ndërmjetësuesi mes teje e neve. Ai qe drejtësia jonë, që mori mbi vete, për t’i ndëshkuar, padrejtësitë tona. Iu bind urdhrit që ti, Atë i amshuar, i pate dhënë, kur e veshe me njerëzinë tonë. O humnerë dashurie! Cila zemër nuk do të mbushet me mallëngjim, duke parë gjithë këtë lartësi, që zbret në gjithë këtë përulësi, domethënë në gjendjen e njerëzisë sonë?
Ne jemi shëmbyllimi yt dhe ti shëmbëllimi ynë, në sajë të lidhjes që ke caktuar ndërmjet teje e njeriut, duke e mbuluar hyjninë e amshuar me renë e vobektë të njerëzisë së korruptuar të Adamit. Për cilën arsye? Sigurisht, për dashuri. Për këtë dashuri të patregueshme, të lutem e të kërkoj të kesh mëshirë për krijesat e tua.

*** *** ***

Përvoja e Pjetrit, që kërkon të ecë mbi ujë dhe pastja e zë frika, nxjerr në pah dobësinë tonë dhe mungesën e besimit si dhe ngurrimin për t’u lëshuar krejtësisht në duart e Zotit.
Sa herë gjendemi në vështirësi të tilla, të cilat nuk besojmë se mund të kenë zgjidhje! Ndodh rrallë që jeta jonë e përditshme të jetë si një det i qetë.
Kur gjërat shkojnë mirë, ato pak vështirësi që na dalin para, na e bëjnë jetën të duket si një det i dallgëzuar, por ajo bëhet e zorshme kur deti është aq i trazuar, sa nuk mund të ecim mbi ujë.
Janë çastet që i kalojmë të gjithë, gjatë të cilëve dëftojmë cilësinë e fesë sonë. Shumë herë, ndoshta, i ngjajmë Pjetrit, i cili, edhe pse e ka ftuar Jezusi, bie pre e dobësive njerëzore.
Vetëm kush e ka fenë të fortë dhe të thellë e gjen me të vërtetë forcën “për të ecur mbi ujë”. Nevojitet shumë fe e mirëbesim. Shpesh herë kërkojmë të pamundurën, por pastaj na mungon besimi, kemi frikë të ecim mbi ujë dhe nuk e kuptojmë se është koha për të besuar në fuqinë e Jezusit, i cili nuk ngurron kurrë të shfaqet para nesh dhe na mbështet e na udhëheq në udhën që na çon tek e mira jonë e vërtetë, edhe pse, ndoshta, jo në atë mënyrë që do të dëshironim ne.
Sa njerëz kemi takuar, të cilët, përballë një vështirësie në familje ose në jetën private, nuk e kanë më forcën për të reaguar dhe zhyten gjithnjë e më thellë. Sa njerëz janë dorëzuar para vështirësive që duken të patejkalueshme dhe kanë hequr çdo shpresë. Nganjëherë mjafton të afrohemi pranë njerëzve në vështirësi, të përpiqemi të kuptojmë shkakun e të keqes së tyre dhe të kërkojmë së bashku rrugën e shpresës, e kështu të mësojmë “të ecim mbi ujë”.
Duhet të jemi si Pjetri, të kemi besim në Jezusin dhe t’i drejtohemi atij, duke treguar dobësinë tonë. Nëse rrimë të vetmuar në vuajtje e në vështirësi është si të mbytesh pak nga pak. Është e ngutshme dhe e domosdoshme të besojmë në Jezusin, të lëshohemi në duart e tij, siç ka bërë profeti Elia.
Fjala e Hyjit na mëson të kemi besim në të, mbi të gjitha në çastet e vështira, si ai i Pjetrit, që rrezikonte të mbytej, dhe si ai i Elisë, që kishte marrë arratinë: Pjetrin e merr për dore Jezusi, ndërsa Elisë Hyji i bën thirrje të kthehet pa frikë mes njerëzve me të cilët ishte zemëruar, duke e siguruar se do të gjente mbështetje në praninë e Hyjit.
Është bukur ta mendojmë në të njëjtën mënyrë përgjigjen e fesë sonë.
Të gjithë e ndjejmë ashpërsinë e jetës, që nganjëherë është më e rëndë se lundrimi në liqenin e trazuar: familja me tensionet e brendshme, mungesa e punës, sëmundjet dhe keqkuptimet na bëjmë të ndjehemi të paaftë. Pikërisht në këto çaste duhet të na vijë në mendje Jezusi, i cili, nëse nga njëra anë na fton të ngjitemi në barkë, nga ana tjetër rri mënjanë dhe vigjilon mbi ne, me zemrën drejtuar kah Ati dhe shikimin kah ne, i gatshëm të ndërhyjë, duke na thënë: “Guxim, mos ki frikë, unë jam afër teje’, mjafton që ne të ruajmë brenda nesh një qoshe ku e dëgjojmë me besim.
Mos t’i lejojmë vështirësitë të na mbysin, si të mos kishim fe, por të zhytemi në besimin tek ai që kujdeset për ne gjithmonë: Hyji.
Ja si i lutej Zotit Shën Tomas Moor:
“O Zot Jezus, më jep një shpirt që nuk njeh mërzinë, murmuritjet, psherëtimat, ankesat, dhe mos lejo të ngushtohem së tepërmi për atë gjë tepër zaptuese, që quhet ‘unë’. Më ndihmo, o Zot, të kem humor. Ma jep hirin ta kuptoj shakanë, me qëllim që të jetoj një jetë më të hareshme, ku mund të marrin pjesë edhe të tjerët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.