Papa emëron kardinalin Filoni, të dërguar të tij personal në Irak
Duke ndjekur nga afër situatën e rëndë në Irak, Ati i Shenjtë emëroi kardinalin Fernando
Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, të dërguarin e tij personal,
për t’u shprehur afërsinë shpirtërore popullsive, që vuajnë e për t’u çuar solidaritetin
e Kishës. Ta dëgjojmë kardinalin Filoni, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje:
- Sigurisht është gjest besimi ndaj meje, nga ana e Atit të Shenjtë, por unë do
të nënvizoja se ky gjest flet më shumë për vëmendjen e madhe, me të cilën Papa e ndjek
situatën e këtyre të krishterëve që, në këtë çast, po vuajnë; e po vuajnë shumë. A
ka vuajtje më të madhe, sesa të braktisësh strehën ku linde, të shikosh si të këputen
rrënjët, si poshtërohesh, duke u detyruar të lësh shtëpinë tënde të kërkosh strehë
gjetiu, si lypsar. Prej këndej, vëmendja e kujdesi i Papës më duket gjëja më e rëndësishme
e shpresoj, në këtë këndvështrim, t’u përgjigjem konkretisht kërkesave të gjithë këtyre
njerëzve. E jo vetëm duke u shprehur aspektin e vëmendjes së Papës, por edhe duke
shikuar, me Patriarkatin, ç’mund të bëjmë konkretisht, si Kishë universale.
Pyetje:
- Mendoj se do të jetë shtegtim i vështirë e delikat: a keni krijuar ndonjë ide
për organizimin e tij?
Përgjigje: - Jemi duke u organizuar këtë çast,
edhe sepse nuk është aspak e lehtë të arrijmë në vend… Po nuk duhet të trembemi.
Pa dyshim, nuk do të na mungojnë mundësitë për ta kryer këtë shtegtim e për të parë
ç’mund të bëjmë, duke jetuar për ca kohë pranë këtyre njerëzve.
Pyetje:
- Patriarku Sako ka folur për rrezikun e genocidit…
Përgjigje: -
Patriaku Sako është në vend e, prandaj i njeh shumë mirë të gjitha aspektet, që mund
t’i shpëtojnë vëmendjes sonë. Populli i krishterë i kësaj zone nuk ikën për herë të
parë nga trojet e veta, nuk emigron për herë të parë, as nuk është hera e parë, që
vuan shumë. Vuajtja e tij nisi një shekull më parë, e vijoi të përsëritet gjatë historisë
së këtyre 90 vjetëve të fundit të jetës së Irakut, që kur trojet e vendit u çliruan
nga Perandoria Otomane, për t’u bërë shtet i pavarur, si të gjitha vendet tjera të
zonës. Mund të themi se është popull, që e ka ende në shpirt gjithë barrën e vuajtjes
shekullore. Prej këndej, mund të kuptohet edhe më mirë shprehja e patriarkut.
Pyetje:
- Dëshironi t’i drejtoni ndonjë thirrje popullsive, që po shkoni t’i takoni?
Përgjigje:
- Para së gjithash, dëshiroj t’u çoj solidaritet e afërsi në lutje, edhe faktikisht.
Jam i bindur se edhe Ati i Shenjtë do të më thotë më saktësisht ç’dëshiron t’i them
kësaj popullsie, që e ka aq shumë për zemër.