2014-08-08 14:54:02

Atë Lombardi: Papa do të takohet më nuncët në Lindjen e Mesme


Për zgjedhjen e kardinalit Fernando Filoni si i dërguar i Papës në Irak e për nisma të tjera të Selisë së Shenjtë në ndihmë të të krishterëve, të dëgjojmë reflektimin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:

Kardinali Filoni është pa dyshim njeriu më i përshtatshëm, pasi ka qenë nunc në Irak e në Jordani për gjashtë vjet: në vitet e fundit të regjimit të Sadam Hyseinit, gjatë gjithë luftës e në vitet e para pas saj. Kujtojmë se gjatë luftës ai qëndroi në Bagdad, pavarësisht nga bombardimet. Ishte i vetmi diplomat i huaj në atë situatë. Pra, është njeri i guximshëm, e do popullin e Irakut e të rajonit dhe tregon përkushtim të madh, përveçse e njeh mirë gjendjen dhe problemet.
Ka ndonjë nismë të veçantë të Selisë së Shenjtë për Lindjen e Mesme?
Në emër të Papës, të gjithë nuncët e rajonit janë ftuar ta shohin me kujdes thirrjen e djeshme të Atit të Shenjtë dhe t’ua shpjegojnë autoriteteve politike e kishtare të vendeve të ndryshme, për të promovuar lutje e solidaritet ndaj popullsisë së prekur nga kjo tragjedi. Gjithashtu, mund të shtoj se po studiohet mundësia e një takimi në Romë, ndërmjet nuncëve të rajonit dhe Atit të Shenjtë për të studiuar gjendjen e për të shkëmbyer ide mbi nismat e mundshme. Takimi ka gjasa të bëhet në shtator.
Në nivelin mediatik, a ka ndonjë ndërhyrje të Selisë së Shenjtë?
Po përpiqemi të krijojmë një atmosferë lutjeje, përshpirtërie e solidariteti. Një nga mjetet është intensifikimi i tweet-eve të Papës mbi këtë temë.








All the contents on this site are copyrighted ©.