2014-08-07 14:43:46

Papa, Kalorësve të Kolombos: askush të mos e kufizojë Kishën në sferën private


“Feja na mëson se Kisha është e thirrur të jetë bashkësi vëllezërish e motrash, që e pranojnë dhe kujdesen për njëri-tjetrin, duke shërbyer si tharm pajtimi e bashkimi për krejt familjen njerëzore”. Ua kujton këtë Papa Françesku, Kalorësve të Kolombos, mbledhur në Takimin e tyre të 132-të vjetor, i cili përfundoi sot në Orlando të SHBA-ve. Ati i Shenjtë nënvizon impenjimin e Urdhërit në favor të të varfërve e të familjeve. Tema e mbledhjes së sivjetme dy-ditore ishte “Do të jeni të gjithë vëllezër: thirrja jonë është vëllazërimi”. Thirrje, nënvizon Papa në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, që organizata ka ditur ta mishërojë nga zanafilla e saj, në fund të shekullit XIX. Papa vlerëson lart mbështetjen, që i japin Kalorësit, Sinodit të ardhshëm të jashtëzakonshëm për familjen, i cili do të mbahet në tetor, si edhe Takimit botëror të familjeve, në program në Filadelfia, në vitin 2015. “Familja – përfundon mesazhi – është përnjimend mësuesja e parë e asaj vëllazërie, që e bashkon dhe e ndërton shoqërinë mbi bazat e forta të respektit të ndërsjellë, të drejtësisë, të mëshirës e të së vërtetës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.