2014-08-07 14:43:06

Atë Lombardi: tri, temat e udhëtimit të Papës Françesku në Korenë e Jugut


Nisi me lutjen e falenderimit, që koreanojugorët kanë shkruar me rastin e vizitës së Papës Françesku e të lumnimit të martirëve, konferenca e sotme e shtypit e zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Sot paradite, ai shpjegoi para gazetarëve, qëllimet, karakteristikat dhe etapat e shtegtimit apostolik të Atit të Shenjtë në Korenë e Jugut, nga 13 deri më 18 gusht. Ja lutja e Kishës së Koresë, e cila, sipas fjalëve të atë Lombardit prek pikat kryesore të udhëtimit: RealAudioMP3
“O Zot, o Atë, Ty që je dashuri,
të falenderojmë që na ke dhënë Kishën Katolike në Kore
pa ndihmën e misionarëve, por vetëm me hirin tënd.
Kisha jonë nderohet nga lumnimi i martirëve,
që Papa do të kremtojë me rastin e vizitës së tij në Kore.
Faleminderit edhe për mundësinë e ungjillëzimit të ri të Azisë,
përmes Ditës aziatike të Rinisë, e cila mbledh të rinj, ardhur nga vende
të ndryshme të kontinentit.
Na ndihmo që, duke marrë shembull nga martirët, ta përtërijmë fenë
e Kishën tonë e, përmes saj, ta ungjillëzojmë shoqërinë.
Na ndihmo të bëhemi një bashkësi, që di të kujdeset për të vuajturit,
për të mënjanuarit e të varfërit, di t’u transmetojë të gjithë njerëzve
dritën e fesë e të promovojë kulturën e dashurisë, të paqes, të jetës.
Të lutemi që populli ynë të pajtohet përmes Ungjillit e të realizojë paqen
e bashkimin e gadishullit.
Përmes kësaj, bëj t’u shpallim Ungjillin të gjithë popujve të Azisë e bëj
që drita e lavdia jote ta shndrisin gjithë botën.
Nëpër Krishtin, Zotin tonë”.
Vizita në Korenë e Jugut është udhëtimi i tretë ndërkombëtar i Papës Françesku, kujtoi atë Federiko Lombardi në konferencën e shtypit. Një papë nuk shkon në Azi që nga viti 1999, kur Gjon Pali II pati vizituar Delhin në Indi. Është gjithashtu hera e tretë, që një papë shkon në Korenë e Jugut. Gjithnjë shën Gjon Pali II pati shkuar dy herë. Tri, temat kryesore të vizitës së Papës Françesku, që fillon javën e ardhshme. E para, Dita aziatike e Rinisë, në të cilën Ati i Shenjtë u ftua nga ipeshkvi i Daezhonit gjatë Ditëve Botërore të Rinisë në Brazil. Atë Lombardi sqaroi:
“Nuk kemi të bëjmë me prani masive, si në Ditët Botërore të Rinisë. Është realitet i vogël numerikisht, pasi priten rreth dymijë të rinj, përfaqësues të 23 vendeve të Azisë... Përveç Ditës së Rinisë Aziatike kemi edhe Ditën e Rinisë Koreane, e cila do të mbledhë rreth 4 mijë të rinj të tjerë”.
Tema e dytë, në qendër të udhëtimit të Papës Françesku, është takimi me Kishën Katolike Koreane, mjaft dinamike, megjithëse katolikët përbëjnë vetëm 10% të popullsisë. Megjithatë, është Kishë misionare. Atë Lombardi përmendi punën e mirë të misionarëve koreanë në Mongoli e në pjesë të tjera të botës. Por, pa dyshim, ngjarja qendrore e takimit të Papës me Kishën është lumnimi i 124 martirëve. Kisha në Kore karkaterizohet nga themelimi i saj prej laikëve si edhe nga martirizimi. Laikët koreanë e gjetën Ungjillin në Kinë, pas predikimeve të atë Matteo Ricci-t e të misionarëve jezuitë, të cilët patën shkruar libra për formimin e krishterë. Koreanët i kërkuan këto tekste, i përkthyen e krijuan rrethe studiuesish për t’u thelluar në to e për të kuptuar mesazhin e krishterë. U bënë kështu të krishterë, me vetëdije të plotë, e dërguan njërin prej tyre të pagëzohet në Pekin. Natyrisht, u martirizuan nga rendi ekzistues për më shumë se një shekull, për më shumë se një brez, pasi konsideroheshin jashtë sistemit kulturor të Koresë së kohës. Gjon Pali II pati shpallur shenjtorë një grup prej 103 martirësh koreanë, të cilët bëjnë pjesë në brezin e dytë e të tretë, brez që pati dëshmuar fenë së bashku me misionarët francezë, ardhur më vonë në Kore. Për këtë arsye njiheshin më mirë. Pastaj, shpjegoi atë Lombardi, u studiuan martirët e brezit të parë, disa prej të cilëve janë prindërit, ose gjyshërit e shenjtorëve të shpallur:
“Për Kishën në Kore, ky lumnim është themelor, sepse kështu, njihet përnjimend vlera e martirizimit, që qëndron në rrënjët e katolicizimit… janë etërit themelues… Në ‘Chonjiam’, vendi ku mblidheshin këta laikë e kërkimtarë të së vërtetës përreth njërit, që njihej si kryetar e mësues, tani ngrihet një shenjtërore e rëndësishme, vend shtegtimesh, e ndodhen varret e pesë etërve themelues, që konsiderohen bërthama e parë e zanafillës së Kishës koreane”.
Papa nuk do të shkojë në këtë shenjtërore, pasi ndodhet lart në mal, jashtë rrugëve kryesore. Më pas, atë Lombardi u përqendrua në impenjimin e Papës Françesku e në lutjen e tij për bashkimin e dy Koreve, tema e tretë e shtegtimit apostolik:
“Koreja – siç e dimë – është vend i ndarë, që vuan pasojat e luftës së tmerrshme civile të viteve ’50. Gjendja aktuale është ajo e armëpushimit e jo ajo e paqes… Të shkojë në Kore e të lutet për pajtimin, për paqen ndërmjet dy pjesëve të popullit korean e të botës mbarë, është një temë jashtëzakonisht domethënëse [për Papën Françesku]”.








All the contents on this site are copyrighted ©.