2014-08-06 14:12:40

Papa Françesku priti ministrantët gjermanë: dëshmoni Krishtin me gëzim


Më se 50 mijë ministrantë gjermanë takuan Papën Françesku në një klimë festive dje pasdite, në Sheshin e Shën Pjetrit. Pas kremtimit të Lutjes së Mbrëmjes dhe pas fjalës përshëndetëse të kryetarit të Konferencë Ipeshkvnore Gjermane, Papa iu përgjigj pyetjeve të disa të rinjve ministrantë.

“Të lirë! Prandaj mund të bëjmë mirë”. Është motoja e shtegtimit në Romë të ministrantëve gjermanë, jehona e së cilës u dëgjua gjatë gjithë kremtimit të Lutjes së Mbrëmjes. Papa Françesku e mbajti homelinë në gjermanisht dhe tha se Hyji i do njerëzit të lirë. “Hyji na tregon se ai është Atë i mirë”. Këtë na e tregon me anë të mishërimit të Birit. Nëpërmjet Jezusit “mund të kuptojmë çfarë dëshiron me të vërtetë Hyji”:

“Ai i do njerëzit të lirë, dëshiron të ndjehen gjithmonë të mbrojtur si bij të një Atit të mirë. Për të realizuar këtë shestim, Hyji ka nevojë vetëm për një njeri. Ka nevojë për një grua, një nënë, që të lindë Birin. Ajo është Virgjëra Mari, të cilën e nderojmë me këtë Lutje të Mbrëmjes. Maria ka qenë krejtësisht e lirë. Në lirinë e saj tha po. Ajo e bëri të mirën përgjithmonë. Kështu i shërbeu Hyjit dhe njerëzve. Nëse dëshirojmë të dimë çfarë pret Hyji nga ne, bijtë e tij, të ndjekim shembullin e saj”.

Pas homelisë Ati i Shenjtë iu përgjigj disa pyetjeve. Një i ri e pyeti: Si mund të jenë të rinjtë më shumë protagonistë në Kishë? Papa tha se “bota ka nevojë për njerëz që u dëshmojnë të tjerëve se Hyji na do”. Nuk mjafton “të vihemi në shërbim të së mirës së përbashkët, duke siguruar gjërat e domosdoshme për jetesë”, si ushqimi, veshmbathjet, kujdesi mjekësor, arsimi, informacioni dhe drejtësia:

“Ne, nxënësit e Zotit, kemi edhe një tjetër mision: të jemi ‘lugje’ që përçojnë dashurinë e Jezusit. E, në këtë mision, ju, fëmijë e të rinj, keni një rol të veçantë: jeni të thirrur t’u flisni bashkëmoshatarëve tuaj për Jezusin, jo vetëm brenda bashkësisë famullitare apo brenda shoqatës suaj, por mbi të gjitha përjashta. Ky është një angazhim që ju takon veçanërisht juve, sepse me guximin tuaj, me entuziazmin tuaj, me natyrshmërinë dhe lehtësinë për t’u takuar, mund të hyni më kollaj në mendjen dhe në zemrën e atyre që largohen nga Zoti”.

“Shumë fëmijë dhe të rinj të moshës suaj – shtoi Papa – kanë pafundësisht shumë nevojë për dikë që, me jetën e vet, t’u thotë se Jezusi na njeh, na do, na fal, ndan me ne vështirësitë tona dhe na mbështet me hirin e vet”:

“Por, për t’u folur të tjerëve për Jezusin, duhet ta njohim dhe ta duam, duhet të përjetojmë takimin me të në lutje dhe në dëgjimin e fjalës. Këtë gjë jua bën më të lehtë shërbimi liturgjik, që ju lejon t’i rrini afër Jezusit – Fjala dhe Buka e Jetës. Po ju jap një këshillë: Ungjillin që dëgjoni në liturgji, lexojeni përsëri personalisht, në qetësi, dhe përshtateni në jetën tuaj; dhe, me dashurinë e Krishtit, të cilin e merrni në kungimin e shenjtë, mund edhe ta zbatoni. Zoti e thërret secilin prej jush të punojë në arën e vet; ju thërret të jeni protagonistë të hareshëm të Kishës së tij, të gatshëm t’u kumtoni miqve tuaj çfarë ju ka kumtuar ai juve”.

Një i ri tjetër pyeti si mund të pajtohen veprimtaritë e ndryshme, për shembull veprimtaritë sportive, ose pasioni për muzikën, me angazhimin e ministrantit. Ati i Shenjtë u përgjigj se duhe të dimë ta programojmë kohën, të kuptojmë çfarë është me të vërtetë e rëndësishme dhe të kujtohemi për Zotin:

“Duhet të organizohemi disi, duhet t’i programojmë gjërat me kujdes... po ju jeni gjermanë e ju vjen natyrshëm. Jeta jonë jetohet në kohë dhe koha është dhuratë e Hyjit, prandaj duhet ta kalojmë duke bërë vepra të mira e të frytshme. Ndoshta shumë fëmijë dhe të rinj humbin tepër orë me gjëra të kota: duke shkëmbyer mesazhe në internet apo në celular, me ‘telenovelat’, me prodhimet e përparimit teknologjik, që duhet ta thjeshtojnë dhe ta përmirësojnë cilësinë e jetës, por që nganjëherë e shkëpusin vëmenjen nga çfarë është vërtet e rëndësishme”.

Përveç kujdesit për të mos e humbur kohën kot, duhet bërë kujdes edhe që të mos lëmë pas dore Zotin:

“Ndër gjërat e shumta që duhen bërë në rutinën e përditshme, një nga përparësitë kryesore është të kujtohemi për Krijuesin tonë, që na jep jetën, na do dhe na shoqëron në ecjen tonë”.

Një tjetër ministrant kërkoi të dinte si mund të përjetohet liria që jep feja. Papa tha se dhuratën e madhe të lirisë na e ka dhënë Hyji:

“Por, nëse nuk e ushtrojmë si duhet, liria mund të na largojë nga Hyji, mund të na bëjë ta humbim dinjitetin, me të cilin ai na ka pajisur. Për këtë nevojiten udhëzimet, mësimet dhe rregullat, si në shoqëri, ashtu edhe në Kishë, për të na ndihmuar të kryejmë vullnetin e Hyjit, duke jetuar me dinjitet si njerëz dhe bij të Hyjit. Kur liria nuk merr formë nga Ungjilli, mund të shndërrohet në skllavëri: skllavëria e mëkatit”.

Papa Françesku kujtoi se “paraardhësit tanë, Adami dhe Eva, duke u larguar nga vullneti hyjnor, ranë në mëkat, domethënë keqpërdoruan lirinë”, dhe shtoi:

“Të dashur djem e vajza, mos e keqpërdoroni lirinë! Mos e dëmtoni dinjitetin e madh të bijve të Hyjit, që ju është dhënë! Nëse do të ndiqni Jezusin dhe Ungjillin e tij, liria juaj do të çelë si bima në lule dhe do të lidhë fryte të mira e të begata. Do të gjeni gëzimin e vërtetë, sepse ai na do plotësisht të lumtur e të kënaqur. Vetëm duke ndjekur vullnetin e Hyjit mund të bëjmë mirë dhe mund të jemi drita e botës e kripa e tokës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.