2014-08-06 15:15:37

Ecclesiam suam e Palit VI mbush 50 vjet: Kisha në dialog me botën


50 vjet më parë, më 6 gusht 1964, Pali VI nënshkruante Enciklikën e tij të parë, titulluar “Ecclesiam suam”. Në audiencën e sotme të përgjithshme, Françesku e kujtoi Papën Montini, që shuhej 14 vjet pas këtij dokumenti, më 1978, pikërisht më 6 gusht, në Festën e Shndërrimit të Zotit: “E kujtojmë me dashuri e admirim, theksoi, duke parë se ia kushtoi gjithë jetën shërbimit të Kishës, të cilën e deshi me gjithë vetveten. Shembulli i tij, si shërbëtor besnik i Krishtit e i Ungjillit, duhet të jetë inkurajim e nxitje për ne të gjithë”.
Ndërsa enciklika e tij e parë vijon të na kujtojë se “Jezu Krishti e themeloi Kishën e tij për të qenë njëkohësisht nënë plot dashuri e të gjithë njerëzve e dhuruese e shëlbimit”. E këto janë fjalët e para të enciklikës, të cilat i japin, që në krye, tonin e dokumentit të frymëzuar plotësisht nga dialogu me botën. Duke nisur nga vetëdija e identitetit vetjak, Kisha, pohon sidomos Pali VI, duhet ta thellojë vetëdijen e misionit të saj transhendent e të kumtit, që duhet të japë. Është detyra e ungjillëzimit. Është mandati misionar. E tregon më pas edhe metodën e ungjillëzimit: “dialogun, afrimin me botën, ku Zoti na nxori në dritë, për t’i ofruar dhuratat e së vërtetës e të hirit, që na i la në roje Krishti”. Gjithnjë në dialog. E dialogu, sipas Palit VI, duhet të ndjekë katër kritere: qartësinë, sidomos; butësinë, besimin e natyrën paqësore.








All the contents on this site are copyrighted ©.