2014-08-05 12:00:06

Xhihadistët hyjnë në Liban. Imzot Hobeika: kemi frikë


Grupet islamiste, që në Siri luftojnë si kundër regjimit, ashtu edhe kundër kundërshtarëve të Asadit, kanë vënë këmbë në Liban. Gjatë orëve të fundit, në Arsal, fshat kufitar në luginën e Bekasë, ushtria u përfshi në një betejë të ashpër, që shkaktoi vdekjen e 12 ushtarëve dhe rreth 40 militantëve. Grupet xhihadiste, që po përndjekin të gjitha pakicat në Irak, rrezikojnë të ndezin të njëjtin konflikt edhe në vendin e cedrave, ndërsa regjimi sirian ka vendosur të mbështesë militantët libanezë. Për të ditur më shumë për gjendjen në vend, Radio Vatikani intervistoi ipeshkvin maronit të Zahlehut, Imzot Mansour Hobeika:RealAudioMP3

Ne, të krishterët e Libanit, por edhe fetë e tjera në vend, e ndjejmë rrezikun e këtij grupi, që quhet “Dash” dhe po bëhet shkaktar lufte. E kemi parë çfarë po ndodh me të krishterët në Lindjen e Mesme. Libani rrezikon të njëjtën gjë.

Në Irak të krishterët janë dëbuar nga Mosuli, në Siri të gjithë luftojnë kundër të gjithëve. A keni frikë se kjo mund të ndodhë edhe në Liban?

Po, këto dy ditë ka pasur përplasje ndërmjet ushtrisë libaneze dhe ekstremistëve. Kjo gjendje mund të përhapet edhe në zona të tjera të Libanit, ku gjenden kampet e refugjatëve sirianë, të cilët mund t’i rekrutojë Dash-i, ose al-Nusra. Këta ekstremistë janë “kushërinj” dhe të dy grupet varen nga Al-Kaeda.

Domethënë se rreziku i përhapjes së dhunës është konkret?

Po, ka filluar tashmë. Mirëpo, gjëja pozitive është se shumica e myslimanëve nuk e pranojnë këtë. Është e qartë se shiitët nuk e pranojnë, por as sunitët nuk e pranojnë, përveç ekstremistëve.

Nuk e pranojnë sepse i tremben luftës?

Po, nuk duan ta shkatërrojnë Libanin, por nuk është e lehtë t’i mbash të qetë ekstremistët sunitë libanezë.

Si po përballet politika me këtë situatë?

Politikanët janë në një mendje, për të bërë ç’është e mundur në mbrojtje të vendit. Nuk duket se janë të ndarë në këtë pikë.

Po Kisha, çfarë po bën?i

Me bashkësinë tonë dhe me opinionin publik libanez po flasim për pajtimin, për lutje, me anë të homelive dhe takimeve. Kaq mund të bëjmë tani.

Janë më se 900 mijë të shpërngulurit nga Siria në Liban dhe vijojnë të mbërrijnë shumë të tjerë. Si është gjendja e tyre?

Janë gati një milion e pesëqindmijë vetë dhe pjesa më e madhe jetojnë në mjerim të plotë. Ndihmat vijnë, por nuk mjaftojnë kurrë.

Libani gjendet mes luftës në Siri dhe konfliktit ndërmjet izraelitëve e palestinezëve...

Ka diçka djallëzore, që vijon ta shtojë urrejtjen në popull, mes etnive, mes feve të ndryshme dhe grupeve fetare. Dua të them se, nëse grupi Dash synonte të krijonte një vend sunit në Irak, nuk ishte e nevojshme të dëbonte të gjitha pakicat e tjera. Janë dëbuar të krishterët dhe ata që nuk janë të krishterë. Qëllimi është urrjetja. Nëse e njëjta urrjetje vjen në Liban, në këtë vend të vogël, ku jetojnë 16 grupe fetare, të gjithë do të ngrihen kundër të gjithëve. Është diçka djallëzore, që shërben vetëm për të shkatërruar. Kemi frikë.

Atëherë, cili është urimi juaj, në këtë situatë të vështirë?

Do të dëshiroja që Libani të ruante paqen dhe të pranonte të gjitha pakicat. Nëse Libani nuk do të arrijë ta ruajë paqen dhe nëse të krishterët nuk qëndrojnë këtu, gjithçka do të ndryshojë. Është një problem i madh, prandaj duhet që të gjithë njerëzit vullnetmirë, por mbi të gjitha Kisha universale, të shqetësohen. Nuk duhet të na lënë vetëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.