2014-08-05 11:59:28

Profecia e Kishës në Azinë e periferive: Papa Françesku në Kore


Kisha në Kore lindi me nismën e laikëve koreanë, në vitin 1784, pa ndihmën e drejtpërdrejt të misionarëve. Asokohe Koreja varej nga Kina. E në oborrin perandorak të Kinës qenë mbledhur shumë evropianë, specialistë në gjeografi, astronomi e në shkencat e ndryshme të epokës, përfshirë edhe fenë. Ndëmjet tyre kishte edhe priftërinj katolikë. Koreja kulturalisht ishte “mbretëri vetmitare”, e mbyllur hermetikisht, ku nuk mund të depërtonte asnjë ndikim i huaj.
Një grup laikësh, intelektualë, letrarë e filozofë, që formonin “Gang-Hak-Hwe (Grupin e dialogut për shkencën), në kërkim të përmasës fetare të jetës e përplot me etjen e mendjes njerëzore për të gjetur të vërtetën, duke përballuar një rrezik të madh, u lidh me Pekinin. Atje flitej për një fe të re, me të cilën koreanët u njohën duke lexuar katekizmin e disa libra të krishterë, shkruar në gjuhën kineze dy shekuj më parë, nga Mateo Riçi e disa jezuitë të tjerë. Kështu, një farë Hong Yu-han, i mahnitur nga këto lexime, pa u takuar me asnjë të krishterë e pa e marrë pagëzimin, nisi të lutej sipas mënyrës së vet, të kremtonte një herë në javë “ditën e Zotit” e të ndante edhe pasuritë e veta me të varfrit.
Dy shekuj para tij, disa misionarë të huaj, pas një sulmi japonez, kishin pagëzuar disa koreanë, por këta besimtarë të parë qenë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.

Kështu, qindra laikë, burra e gra, për më se pesëdhjetë vjet, pa ndihmën e priftërinjve, me përjashtim të pranisë, për pak kohë, të ndonjë prifti kinez, e përhapën Ungjillin në vendin e tyre, deri më 1836, kur këtu erdhën misionarët francezë. Dhuruan edhe jetën për Krishtin, duke përballuar martirizimin me qetësinë e gëzimin, që të kujton martirët e krishterë të shekujve të parë.
Themelues i Kishës në Kore ishte Lee Byeok. Tejet i interesuar për krishterimin, iu lut një miku, Lee Seung-hun, i cili shoqëronte të atin, si sekretar ambasade, në Pekin, t’i gjente libra të tjerë të krishterë në kinezçe dhe e nxiti të pagëzohej. Ai takoi, në Pekin, tre jezuitë, një portugez e dy francezë, me të cilët mundi të komunikonte me shkrim, përmes një numri të caktuar shkronjash kineze. Pas një muaj mësimesh fillestare, atë Grammont e pagëzoi me emrin Pjetër.
Duke u kthyer nga Kina, në janar 1784, Pjetër Lee Seung-hun solli me vete libra të astronomisë, matematikës, gjeometrisë e besimit. Lee Byeok, me miqtë e tij, nisën ta studiojnë krishterimin me të gjitha forcat. Kështu, disa prej tyre, arritën të pagëzohen nga Pjetër Lee. Pastaj të pagëzuarit e parë u dhanë mësime edhe të tjerëve, duke i shoqëruar deri tek Gurra e Pagëzimit. Librat, posaçërisht ato të lutjeve, nisën të përkthehen në gjuhën koreane e të përhapen gjërësisht, me frymë të thellë misionare. Lee Byeok realizoi një përmbledhje të Besëlidhjes së Vjetër e të Re në formë lirike, ndërsa Jeong Yak Jong përktheu në vargje Dhjetë urdhërimet e Tënzot. U hartua edhe një kalendar hënor për ditët shenjta të Zotit, kushtuar lutjes, kundrimit, agjërimit.

Por nisën persekutimet e gjaku i martirëve lagu truallin korean. I pari, Gjon Batista Lee Byeok, u burgos në shtëpinë e familjes së tij, e dëshmoi fenë me agjërim për shumë e shumë ditë, derisa vdiq, duke hapur, më 1785, faqen e parë të listës së gjatë të martirëve koreanë.

Me rritjen e numrit të besimtarëve, nisën të zgjidhen disa priftërinj. Madje edhe një ipeshkëv. U pyet, për këtë zgjedhje, bashkësia e edhe ipeshkvi i Pekinit, e përgjigjja qe negative. Por ipeshkvi i Pekinit premtoi të dërgonte një prift. Prifti i ri kinez, Jacques Chu, erdhi më 1794 në Kore, ku jetoi i fshehur, duke mbarështuar sakramentet e duke i asistuar të krishterët natën. Kështu për gjashtë vjet e katër muaj numri i besimtarëve nga katër mijë, arriti në dhjetë mijë. Policia nisi t’i arrestojë e t’i torturojë të krishterët, duke u kërkuar të tregonin ku fshihej prifti. Atëherë ai u dorëzua vullnetarisht e, si e torturuan mizorisht, e vranë, më 1801.

Ipeshkvi i Pekinit i porositi besimtarët koreanë të hiqnin dorë nga kulti i të parëve, e ata iu bindën, ndonëse kjo do t’u kushtonte shtrenjtë. Për 20 herë, gjatë 30 vjetëve, laikët e martirët koreanë shtegtonin, duke përshkuar 1200 kilometra, për të arritur në Pekin, ku mund të takoheshin me meshtarët. Kishin nevojë të domosdoshme për priftërinj. Kërkesa e tyre, më në fund, ra në vesh të Papës së Romës, Gregorit XVI, i cili u kërkoi ‘Missions Étrangères’(Misioneve të Huaja) të Parisit të nisnin misionarë drejt Koresë. Kisha pati, më në fund, një ipeshkëv dhe disa priftërinj, për 50 mijë katolikë. Ishte viti 1836.

Në vitin 1839 nisi një persekutim i ri kundër misionarëve francezë dhe krerëve laikë koreanë, si Pal Jeong Ha-Sang e Agostin Yoo Jin-Ghil, themelues të dioqezës së Cho-Seon (krijuar më 1831).

Misionarët francezë nisën disa të rinj në Makao, që të përgatiteshin për rrugën e meshtarisë. I pari, që u shugurua, qe Andre Kim Dae-Gheon, që u martirizua sapo u rikthye në Kore, në vitin 1846.
Persekutimet vijuan, pa prerë, deri tek i fundmi, më i tmerrshmi, ai i vitit 1866: më se 20 mijë martirë ndërmjet shekujve XVIII e XIX. Posaçërisht laikët qëndruan si burrat para flijimit të madh, duke dhënë shembuj të shkëlqyer, gjë që ndikoi fuqimisht në përhapjen e mëtejshme të fesë si dhe në fuqizimin e Kishës në këtë vend, të larë me gjak. Të gjithë katolikët e sotëm koreanë janë të bindur se, në udhën e tyre të fesë, mbështeten fuqimisht nga paraardhësit e tyre martirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.