2014-08-05 13:50:13

Ministrantët gjermanë tek Papa: të lirë për të bërë mirë


50 mijë ministrantë të gjuhës gjermane takohen sot në orën 18.00 me Papën Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, i cili u përgjigjet katër pyetjeve. Shtegtimi i tyre në Romë zgjat disa ditë e ka si moto “Të lirë! Prandaj mund të bëjmë mirë”. U paraqit dje pasdite në selinë e Radio Vatikanit.RealAudioMP3
Ministrantët, apo xhakojt siç njihen ndër shqiptarë, kanë ardhur në Romë nga Gjermania, por edhe nga Austria e Zvicra. Me moshë nga 13 deri në 27 vjeç, i bashkon feja në Krishtin, entuziazmi i rinisë dhe dashuria për Papën, nënvizuar nga kreu i Komisionit për Rininë në Konferencën Ipeshkvnore Gjermane, imzot Karl Hainz Wiesemann:
“Ndokush prej tyre e ka parë Papën në Rio-de-Zhanejro, vitin e kaluar, por shumë e shohin për herë të parë dhe ndjehen vërtet anëtarë të bashkësisë universale të Kishës e të fesë”.
Pikërisht “bashkësi” është fjala, që përdorin më shumë të rinjtë e ardhur në Romë, si përfaqësi e 430 mijë fëmijëve e të rinjve, të impenjuar në shërbimin në elter:
“Jam ministrante që kur mora për herë të parë Eukaristinë”, tregon Eva 13-vjeçare. Për të, shërbimi në Kishë do të thotë pjesëmarrje në një bashkësi të stërmadhe, të cilën pret ta njohë edhe më mirë pas këtyre ditëve në Romë.

“Të jesh pjesë e Kishës e ta mbështesësh atë” është kuptimi që i jep Jakobi, edhe ai 13 vjeç, shërbimit të tij si ministrant. Imzot Wiesemann shpjegoi se hyjnë gjithnjë xhakoj të rinj nëpër famulli. Më të rriturit kujdesen për të vegjlit dhe u mësojnë si të sillen në elter. Kështu rriten së bashku, duke u bërë gjithnjë e më të përgjegjshëm.
Por pse është zgjedhur motoja “Të lirë! Prandaj mund të bëjmë mirë”? Të dëgjojmë imzot Wiesemann:
“Të lirë në Krishtin, për të bërë mirë. Ministrantët jetojnë në një botë të lirë, por shpesh pa ditur ç’duhet të bëjnë me këtë liri. Atëherë, ne u propozojmë udhën e Krishtit, Ungjillin: ti je i lirë në Krishtin për të bërë mirë, për ta ndjekur Jezusin”.
Kjo shprehet sidomos përmes virtytit të bamirësisë e mëshirës, marrë nga shembulli i Jezusit në pjesën e Ungjillit sipas Mateut – frymëzim për moton – ku Krishti shëron dorën e paralizuar të një të sëmuri, megjithësi ishte e shtunë, ditë, në të cilën hebrenjtë nuk duhet të punojnë:
“Mëshira është thelbi i Ungjillit të Krishtit. Të jesh i mëshirshëm do të thotë ta kuptosh logjikën e Ungjillit. Të mos mendosh vetëm për vete, por të kujdesesh për të afërmin, sidomos për nevojtarin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.