2014-08-04 17:24:30

Misioni i Papës Françesku në Kore


Papa Françesku do të vizitojë Korenë e Jugut. Vizitë pesëditore, nga 13 deri më 18 gusht, për t’u takuar me të rinjtë e për të lartuar në nderimet e elterit martirët. Ky është misioni i Atit të Shenjtë, që shkel për herë të parë në trojet e Azisë.

Papa do të takohet, kështu, me kontinentin më të populluar të planetit, ku jeton më se gjysma e popullsisë botërore, me tradita tejet të lashta, etni shumëformshe, qytete vigane e ekonomi të fuqishme. Do të takohet me këtë realitet e edhe me të tjerë akoma. E sidomos, me të tjerët. Sepse, e kjo duket gati e pabesueshme, duke u njohur nga afër me shifrat e faktet e zhvillimit ekonomik të disa prej këtyre vendeve, këtu takohen edhe shumë të varfër, rreth 50% të të varfërve të botës.
Ati i Shenjtë shkon të takohet kryesisht me të rinjtë e këtij kontinenti, të mbledhur për Ditën e tyre aziatike në Daejon. Shkon të jetojë fenë e tij me të rinjtë e qyteteve vigane, të pasura e të varfra njëherësh. Prej këndej, edhe me ata, që jetojnë në mjerim, në qytezat e barakave, duke i ofruar njërës e tjetrës palë, të njëjtën rrënjë shprese, dashurinë e Jezu Krishtit, Udhën, që e shndërron jetën dhe e bën më njerëzore çdo shoqëri.
Nëse ka në botë ndonjë vend, që mund të citohet si shembull i fekonditetit të Ungjillit për njeriun e shoqërinë, është pikërisht Koreja. Kryesisht për historinë e krishterimit në gadishull, për mënyrën si depërtoi Krishti në këto troje, ku historia e krishterimit nis që në shekullin XVIII. Asokohe disa dijetarëve koreanë të oborrit perandorak kinez u ranë rastësisht në dorë tekste biblike. Kur u kthyen në atdhe, nisën të studiojnë doktrinën e krishterë. Më 1784, një prej tyre u nis për Pekin me dëshirën që të pagëzohej nga priftërinjtë misionarë katolikë. U kthye i pagëzuar e nisi të pagëzojë edhe anëtarët e tjerë të grupit. Deri më 1836, kur këtu arritën misionarët francezë, bashkësia u mbajt në këmbë e eci përpara duke u mbështetur vetëm mbi fenë dhe dëshminë e laikëve.
Krishterimi nisi të ushtrojë një ndikim të fuqishëm mbi njerëzit me vërtetësinë e tij, me dashurinë, moralitetin e impenjimin, që mund ta ndryshonin rrokullisjen drejt humnerës të shoqërisë tradicionale, me hjerarkitë e saj të pacënueshme.
Para se këtu të vinte Ungjilli, as që mund të mendohej që zotërinjtë të uleshin gju më gju me skllevërit, që njerëz nga klasa krejt të ndryshme shoqërore, të duheshin si vëllezër e ta ndihmonin njëri-tjetrin për t’i kapërcyer vështirësitë e jetës, siç po ndodhte në gjirin e bashkësive të para të krishtera koreane. Krishtërimi i mësoi Koresë barazinë ndërmjet njerëzve dhe kulturën e dashurisë e të faljes. Edhe periudha e dhimbshme e persekutimit (shekujt XVIII-XIX), nuk mundi ta çrrënjoste nga zemra e besimtarëve koreanë guximin e dëshmisë e as dashurinë për popullin e vet. E dëshmon qartë këtë jeta e martirëve, që Papa Françesku po shkon t’i lumnojë, pas atyre që i pati shenjtëruar Gjon Pali II.








All the contents on this site are copyrighted ©.