2014-08-03 11:37:58

Vizita e Françeskut në Shqipëri: logoja e autori i saj, Shpend Bengu


Tashmë vizita e Papës Françesku në Shqipëri ka programin, moton e logon e saj, realizuar nga piktori Shpend Bengu, i njohur për disa vepra me frymëzim fetar, ndërmjet të cilave, Lajmërimi i Zojës, në Kishën e jezuitëve, në Kryeqytet.
Po, kush është Shpend Bengu e cila është simbolika e Logos?
Piktori Shpend Bengu lindi më 12 maj 1962 në Tiranë. Që në shkollën fillore u dallua për talentin në pikturë. Vijoi, prandaj, liceun artistik në Tiranë, nga shtatori i vitit 1977, në qershor 1981. Rezultatet premtuese e nxitën të vijojë më tej studimet pranë Akademisë së Arteve të Bukura, në Tiranë, në degën e grafikës, nga shtatori 1982, në korrik 1986, duke u diplomuar me rezultate shumë të mira.
Tanimë ka një jetëshkrim të mirënjohur artistik, me një mori veprash e pjesëmarrjesh në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare, nga Austria (shtator 2006), Belgjika (qershor 2006), Gjermania e shumë vise të tjera, duke nisur nga Italia, ku si specialsit në grafikë, pikturë e në teknikat multimediale, ndjehet si në shtëpi të vet. Bashkëpunon ngushtësisht me Universitetin e Kalabrisë dhe me disa institucione artistike të kësaj zone, si specialsit në grafikë, pikturë e teknikë multimediale.
Kujtojmë se autori i Logos është besimtar katolik. E kujtojmë këtë, sepse nuk është e lehtë të përmbledhësh në një figurë të vetme, simbolikën e shtegtimit papnor në vendin, që i dhuroi Kishës universale një aradhe martirësh, të cilët zënë vend nderi në martiriologun e saj. Nuk është thjesht çështje mjeshtrie artistike, por edhe besimi. Në Zotin. Në Kishën. Në gjakun e martirëve, të pranishëm në logo, në udhën ku shkel njeriu. Të gjitha, përmbledhur simbolikisht në një figurë të vogël, të stilizuar, sipas natyrës së një logoje, me pak viza e ngjyra, të gjitha simbolike.
Të dhënat e hollësishme për figurën e autorit mund t’i gjeni në internet, duke thirrur emrin e piktorit, që po bëhet edhe më i njohur me logon e vizitës së Papës.
Puna e Shpend Bengut u vlerësua, në përkim me shijet estetike të zgjedhësve, ndërmjet 13 logove të tjera, që iu paraqitën Konferencës Ipeshkvnore.
Simbolikën e saj e shpjegoi Albert Nikolla, në një intervistë, dhënë Radios sonë.
Në qendër të logos, Njeriu, shembëlltyrë e Zotit. Njeriu në ecje, mbi gjurmë gjaku, me Kryqin lart, dëshmi flijimi, në emër të Krishtit.
Figurë përgjithësuese e martirizimit të Kishës katolike, por edhe e të gjithë burrave e grave guximtare, që vuajtën, jo me fjalë, por me gjak, pa iu nënshtruar tiranisë, atëherë kur grinte e korrte.
Njeriu i stilizuar ecën, me të dy krahët përpjetë, duke mbajtur lart moton: “Së bashku me Zotin, drejt shpresës, që nuk zhgënjen!”. Lartohen, kështu, krahë e shpresë, drejt qiellit, drejt Zotit. Njeri-simbol bese, mbrojtur me gjak.
Mbi njeriun, lartohet kryqi, që mbetet figurë kryesore e Logos. Ka tri këmbë të vogla shkalle, simbol i hapave, që mbeten për t’u bërë, për t’u ngjitur në maje të Kryqit, të përsosurisë njerëzore.
Mbi Kryqin, rrezet e diellit, që shpërthejnë e mbushin botën me dritën e me shpresën e Zotit. Atë shpresë, që nuk zhgënjen kurrë!
Simbolike, edhe ngjyrat: spikasin e kuqja dhe e zeza, ngjyrat e flamurit shqiptar, si dhe e verdha e e bardha, ngjyrat e flamurit të Vatikanit, që së shpejti do të shpalosin njëherësh palët mbi Shqipërinë.Kaq mendime, në një figurë të thjeshtë, të stilizuar, që mund të ngjallë shumë diskutime. Nuk ishte e lehtë të realizohej. Por u relizua e u zgjodh për të përmbledhur një histori bese e gjaku, e për të shprehur një vizitë gëzimi e shprese, që Papa po e bën në Shqipëri, pikërisht në emër të një populli që vuajti aq shumë nën tirani e i dhuroi aq martirë Kishës së përbotshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.