2014-08-03 14:07:48

Papa në Engjëllin e Tënzot: Jezusi na mëson t’i vëmë nevojat e të varfërve para tonave


Papa Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, u ndalua posaçërisht tek faqja e sotme ungjillore që, përmes shumëzimit të bukëve e të peshqve, na kujton mesazhin e Jezusit. Mëshira, ndarja e përbashkët, Eukaristia, shpjegoi Papa, janë udha që çon në përballimin e nevojave të kësaj bote me frymën e vëllazërisë.

Tri janë udhët, që na i tregon Ungjilli, kushtuar shumëzimit të bukëve e peshqve: udha e mëshirës, e ndarjes së përbashkët e udha e Eukaristisë. Të kesh mëshirë, shpjegoi Papa, do të thotë ta bësh tënden vuajtjen e tjetrit. Të vuash me tjetrin. Nuk do të thotë thjesht të mëshirosh:
“Kështu është Jezusi: vuan bashkë me ne. Vuan me ne, vuan për ne… Jezusi na mëson t’i vëmë nevojat e të varfërve para nevojave tona… Kërkesat tona, ndonëse të ligjshme, nuk do të jenë kurrë aq të ngutshme, sa ato të të varfërve, që nuk kanë as gjërat më të nevojshme për jetesë”.
Kumti i dytë, ai i ndarjes së përbashkët. Është logjika e Hyjit, krejt në kundërshtim me atë, që e shtyn njeriun të mendojë vetëm për vete:
“Sa herë e kthejmë kokën në anë tjetër e bëjmë sikur nuk i shikojmë vëllezërit nevojtarë! E ky shikim i kthyer në anë tjetër, është mënyrë ‘e edukuar’ për të larë duart e për t’u thënë nevojtarëve “bëjini derman vetes”. Po këto nuk janë fjalët e Jezusit, ky është egoizëm”.
Mesazhi i tretë, ai i Eukaristisë. Jezusi na dhuron “bukën e jetës së pasosur”. Na dhuron veten:
Por ne duhet të shkojmë kah Eukaristia me këto ndjenja të Jezusit, me mëshirë e me dëshirën e Jezusit për të ndarë gjithçka bashkërisht. Kush shkon kah Eukaristia pa dhimbje e pa mëshirë për të varfërit e pa ndarë me ta të mira e të vështira, nuk e ndjen veten mirë me Jezusin”.
Mëshirë, ndarje e përbashkët, Eukaristi. Kjo është udha, përfundoi Papa, që na ndihmon t’i përballojmë vëllazërisht nevojat e kësaj bote.








All the contents on this site are copyrighted ©.