Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (5)
Fletët e kalendarit ndërrohen me shpejtësi, duke zbuluar faqe të reja e duke premtuar
ngjarje të reja, ndërmjet të cilave, edhe ngjarje të mëdha, që shënohen në analet
e historisë. E tillë është vizita e Papës Françesku në Shqipëri, më 21 shtator, ditë
që po afrohet e që do ta vërë Vendin në qendër të vëmendjes së mbarë botës, e cila
e ndjek hap pas hapi Atin e Shenjtë, kudo shkel. Ashtu si i ndjek këto ditë të hidhura
për Lindjen e Mesme, ku endet fantazma e vdekjes. Pikërisht në viset e konfliktit
shkon sot mendimi i Papës. Françesku u përgjigjet pyetjeve të Henrique Cymerman, intervistues
i gazetës “La Vanguardia”(08. 06.20154), për lidhjen e të krishterëve me hebrenjtë
dhe risitë e papnisë së tij. E paraqitet si famullitar i botës.
Një vit
më parë më keni thënë se në shpirtin e çdo të krishteri, është një hebre?
Ndoshta do të ishte më e drejtë të thuhej se “s’ mund të jesh i krishterë i vërtetë,
nëse nuk i njeh rrënjët tuaja hebraike”. Nuk flas për hebreun në kuptimin semitik
të racës, por në kuptimin fetar. Besoj se dialogu ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve
duhet ta thellojë këtë pikë, rrënjën hebraike të krishterimit dhe lulëzimin e krishterë
të hebraizmit. E kuptoj se është sfidë e mirëfilltë, patate e përvëluar, por mund
të bëhet me frymë vëllazërore. Unë e them për ditë oficen hyjnore me Psalmet e Davidit,
të 150 Psalmet i përsërisim çdo javë. Lutja ime është hebraike. Pastaj kam Eukaristinë,
që është e krishterë!
Me ç’sy e shikoni antisemitizimin?
Nuk
jam në gjendje ta shpjegoj nga vjen, por besoj se, në përgjithësi, pa pohuar se është
rregull i përhershëm, lidhet me të djathtët. Antisemitizmi lëshon rrënjë më shumë
në rrymat politike të së djathtës, sesa në ato të së majtës. Nuk e besoni? E vijon
akoma! Ka nga ata, që e mohojnë holokaustin. Marrëzi e vërtetë!
Një nga
planet tuaja është të hapni arkivat e Vatikanit për holokaustin.
Do të
sjellin dritë të re.
Ju shqetëson ç’ mund të zbulohet?
Në këtë
pikë, ajo që më shqetëson është figura e Piut XII, Papës, që i priu Kishës gjatë Luftës
II Botërore. Për të varfërin Piun XII s’u la gjë pa thënë. Por duhet kujtuar se, më
përpara, shihej si mbrojtës i madh i hebrenjve. Ishte Ai, që fshehu shumë prej tyre
në kuvendet e Romës dhe të qyteteve të tjera italiane, e deri në selinë verore të
papëve, në Kastel Gandolfo. Atje, në dhomën e Papës, në krevatin e atij vetë, lindën
42 fëmijë, bij hebrenjsh e njerëzish të tjerë të persekutuar, që strukeshin nën strehën
e papnore. S’dua të them se Piu XII nuk bëri asnjë gabim- edhe unë vetë bëj shumë
- por roli i tij duhet lexuar lidhur ngushtë me rrethanat e epokës. Duke u nisur,
për shembull, nga pyetja: a bëri mirë që nuk foli, për t’ia ndaluar nazistëve hovin
vrastar kundër hebrenjve, apo më mirë të kishte folur? Kur e shikoj se të gjithë kapen
me Kishën e me Piun XII e i harrojnë fare fuqitë e mëdha, më duket si të kisha rënë
ndërmjet hithërash ekzistenciale. A e dini se fuqitë e mëdha e njihnin përsosurisht
rrjetin hekurudhor të nazitëve, që shërbente për t’i çuar hebrenjtë në kampet e përqendrimit?
E se kishin edhe fotografitë? Po nuk e morën fare mundimin t’i bombardonin ata binarë.
E pse? Do të ishte mirë, prandaj, të flitej nga pak për të gjithë e për gjithçka.
Ju e ndjeni ende veten si famullitar, apo e keni pranuar rolin e kreut
të Kishës?
Përmasa e famullitarit i përgjigjet më mirë se asnjë tjetër
thirrjes sime. Dëshira për t’u shërbyer njerëzve, më buron nga thellësia e shpirtit.
E shuaj dritën, për të mos shpenzuar shumë para, për shembull. Janë gjëra që i bën
famullitari. Por e ndjej veten edhe papë. Më ndihmon t’i bëj seriozisht gjërat. Bashkëpunëtorët
e mi janë shumë seriozë e të aftë në profesion. Më ndihmojnë për të kryer detyrën.
Nuk duhet luajtur roli i papës-famullitar, do të ishte mungesë pjekurie. Kur vjen
një kryetar shteti, duhet pritur me dinjitetin e protokollit, që meriton. Është e
vërtetë se me protokollet kam problemet e mia. Por s’kam ç’të bëj, duhen respektuar.
Ju po ndryshoni shumë gjëra. Drejt ç’ ardhmërie çojnë këto ndryshime? Nuk
kam kurrfarë shndritjeje, as projekti personal, që e mbaj nën sqetull, thjesht sepse
nuk kam menduar kurrë se do të më linin këtu, në Vatikan. E dinë të gjithë. Kisha
ardhur me një valixhe të vogël, për t’u rikthyer menjëherë në Buenos Aires. Kjo, që
po bëj, s’është tjetër, veçse realizim i mendimeve që ne, kardinajtë, i shkëmbyem
gjatë diskutimeve në Kongregacionet e përgjithshme, domethënë, në takimet që, gjatë
selisë vakante, i mbanim çdo ditë për të diskutuar rreth problemeve të Kishës. Që
aty vijnë reflektimet dhe porositë. Një nga më konkretet, ishte se Papa duhet të ndihmohej
nga një këshill i jashtëm, një grup këshilltarësh, që të mos jetonte në Vatikan.