2014-08-01 14:42:02

Card. Tagle: Francesco nelle Filippine, vicino a popolo sofferente


Sapo u bë i ditur programi i vizitës së Papës Françesku në Shqipëri e mungojnë dhjetë ditë nga udhëtimi i tij për në Korenë e Jugut, por edhe vende të tjera po përgatiten për të pritur Pasardhësin e Shën Pjetrit. Janë Sri Lanka e Filipine, ku Ati i Shenjtë do të shkojë në janarin e vitit të ardhshëm. Të mëdha janë shpresat për këto shtegtime, që duket sikur u japin edhe një herë zë fjalëve të shën Gjon Palit II, i cili shihte një pranverë të re të krishterë në Azi, në mijëvjeçarin e tretë. Si po përgatitet populli dhe Kisha Katolike në Filipine? Të dëgjojmë kryeipeshkvin e Manilës, kardinalin Luis Antonio Tagle:

Populli filipinas e do Atin e Shenjtë e shpallja e udhëtimit të tij në Azi, në veçanti në Filipine, vitin që vjen, i gëzoi shumë njerëzit, qe diçka e mrekullueshme. Jokatolikët, mass media, televizioni, radio, të gjithë filipinasit flasin gjithnjë për janarin e ardhshëm si për një muaj hiri. E ka edhe një arsye tjetër: më 14 janar 1995, Papa Gjon Pali II pati ardhur në Filipine për Ditën Botërore të Rinisë. Vitin që vjen, Papa Françesku do të vijë më 15 janar, pas 20 vjetësh. Filipinasit do ta shohin sërish Mëkëmbësin e Krishtit, në personin e Papa Françeskut.
Papa thekson se vjen sidomos për t’u lutur e për t’u qëndruar afër viktimave të tajfunit, që goditi Filipinet vitin e kaluar, duke shkaktuar shumë të vdekur e dëme të pallogaritshme. Është afërsia e Atit të Shenjtë me popullin që vuan…
Po, po, një popull që vuan, që po rindërton jetën: jo vetëm shtëpitë, shkollat, por sidomos jetën. Vuajtja vijon, por afërsia e të gjithë popujve vullnetmirë është e jashtëzakonshme dhe na jep arsyet për të pasur shpresë e forcë. Gjithsesi, prania e Atit të Shenjtë është e veçantë. Vetëm një vit më parë, Papa bekoi mozaikun e Shën Pedro Calungsod, në Bazilikën e Shën Pjetrit, pas tajfunit, e i tha popullit, që vuante në Filipine: “Mos u lodhni së pyeturi: ‘Pse? Pse?’”. Fjala më e përdorur nga fëmijët me nënat e baballarët e tyre. Kur vuan, populli duhet ta bëjë atë pyetje, për të tërhequr vëmendjen dhe sytë e Hyjit Atë mbi vetvete. E ky është mesazh prekës për Filipinet.
Pas pak ditësh, Papa Françesku do të shkojë në Azi për vizitën e tij të parë në këtë kontinent, me rastin e Ditës aziatike të Rinisë e të lumnimit të 124 martirëve koreanë. Dioqeza juaj e mëparshme është ajo, ku u mbajt edicioni i pestë i Ditës aziatike të Rinisë. A mund të na flisni për këtë realitet? Si e presin Atin e Shenjtë në Azi?
Po, katër a pesë vjet më parë, dioqeza ime e mëparshme u zgjodh si vend për Ditën aziatike të Rinisë. Është diçka me përmasa mjaft më të vogla se Dita Botërore e Rinisë. Por, këto ditë janë të mbushura me formim, lutje, bashkim e mision. E mendoj se e njëjta gjë do të ndodhë në Seul, në Kore, por me një detaj krejtësisht të veçantë: do të vijë Ati i Shenjtë. Kjo është përkrahja për Kishën e Koresë, që vuan, por është edhe e gjallë e plot jetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.