2014-07-31 13:14:02

Fjala e SH.T. Imzot Angelo Massafra në Konferencën për shpalljen e Programit të Udhëtimit Apostolik të Papës Françesku në Tiranë


Një nga takimet e rëndësishme që Papa Françesku do të bëjë është edhe ai me liderët e komuniteteve fetare të pranishme në Shqipëri në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Ky takim është i një rëndësie të veçantë që ka të bëjë me vetë natyrën e Pontifikatit të Papës Françesku dhe me natyrën specifike të popullit tonë.

Qysh në fillimet e Pontifikatit të tij, Papa Françesku ka promovuar një kulturë të takimit midis të ndryshmëve. Ka qenë stili i tij si Ipeshkëv në Buenos Aires, të cilin po e shfaq edhe si Papë në krye të Kishës Universale. Në më shumë se një rast ai ka nxitur këtë kulturë të takimit në emër të së mirës. Ja çfarë ka thënë ai në një nga homelitë e tij në Shtëpinë “Santa Marta” vetëm pak kohë pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës:

“Zoti na ka krijuar në shëmbëllimin dhe ngjashmërinë e tij, jemi shëmbëllim i Zotit dhe Ai bën të mirën e ne të gjithë e kemi në zemër këtë urdhërim: bëj të mirën e mos bëj të keqen! Të gjithë! “Po Atë ky nuk është katolik! Nuk mund të bëjë të mirën!” Po, mund ta bëjë. Duhet ta bëjë. Jo mundet, por duhet ta bëjë! Sepse ka këtë urdhër brenda vetes. “Po Atë, ky nuk është i krishterë, nuk mund ta bëjë!” Po mundet ta bëjë. Duhet ta bëjë.” (Santa Marta, 22 maj 2013).

Të gjithë mundemi në emër të Zotit, edhe pse të ndryshëm, të bëjmë të mirën e të punojmë për të mirën. Duke parë situatën e sotshme të përgjakshme në disa vende ku luftojnë etni dhe besime të ndryshme me njëri-tjetrin është më aktuale se kurrë kjo thirrje e Papës për një kulturë takimi. Ja çfarë thotë ai në të njëtën homeli:

“Ndërsa kjo mbyllje, duke menduar që nuk mund të bëhet e mira jashtë (nesh), është një mur që na çon drejt luftës dhe drejt asaj që shumëkush ka menduar në histori: të vrasë në emër të Zotit. Nuk mund të vrasim në emër të Hyjit. E kjo gjë thjesht është një sharje ndaj Hyjit. Të thuash që mund të vritet në emër të Hyjit është një fyerje e madhe.” (Santa Marta, 22 maj 2013).

Papa Françesku gjithashtu vjen edhe për të inkurajuar dialogun ndërfetar që ekziston në Shqipëri e për të cilin ne jemi krenarë. Papa Bergoglio ecën në gjurmët e paraardhësve të tij. Nuk mund të harrojmë Shën Gjon Palin II i cili na e la pothuajse si një testament në vitin 1993 që ta ruajmë e ta zhvillojmë këtë pasuri që kemi. Në sheshin Skëndërbej kështu Gjon Pali II iu drejtua popullit tonë shqiptar: “Liria e vërtetë fetare i ikën tundimit të intolerancës dhe të sektarizmit, dhe promovon një sjellje dialogu plot respekt dhe konstruktiv. Populli shqiptar – më pëlqen ta kujtoj këtë moment – është shembullor nga kjo pikëpamje. Qëndroni në një sjellje të tillë, të dashur vëllezër e motra. Do të keni merita për solidaritetin dhe për paqen në Atdheun tuaj dhe në tërë zonën e turbulluar të Ballkanit. Mund të ndërtoni një unitet kombëtar të pjekur dhe të fuqishëm”.(Gjon Pali II, Fjalimi ne Sheshin Skenderbej, 25 prill 1993)

Pas 21 vjetësh kjo thirrje tingëllon ende aktuale e në këtë dialog ne kemi nevojë të rritemi e të përforcohemi më shumë që të vazhdojmë të jemi shembull. Në këtë sens jam i bindur do të na ndihmojë edhe takimi me Papë Françeskun.
Faleminderit.








All the contents on this site are copyrighted ©.