2014-07-30 17:55:12

Siri: mesazh i Patriarkut Gregorios për fundin e Ramazanit


“Të krishterë e myslimanë, ne jemi garantët më të mirë për njëri-tjetrin”. Kështu shkruan Patriarku greko-melkit katolik i Antiokisë dhe i gjithë Lindjes, Gregorios III, në një mesazh për myslimanët e vendeve arabe e të gjithë botës, me rastin e festës Eid al-Fitr, festës së Bajramit, e cila mbyll Ramazanin.
“Kjo festë – lexohet në dokument – mbërrin në rrethana veçanërisht të vështira e dramatike në botë, sidomos në vendet tona arabe, ndërsa Siria e dashur dhe Iraku vuajnë, Palestina e Gaza kanë varrë mbi trup, pa folur për Marokun, Egjiptin, Jemenin dhe vendet e Gjirit Persik. Kudo rrjedh gjak, shtohet dëshpërimi; shkatërrohen vendet e kultit, kisha e xhamia; dhunohen të drejtat e shenjta të njeriut; dinjiteti, liria, nderi i tij shkelen me këmbë, duke kërcënuar të gjitha fitoret njerëzore, artistike e teknike, morale e fetare të kulturës sonë”.
Këtë qytetërim arab, të krishterë e myslimanë e kemi ndërtuar së bashku e jetuar me respekt të ndërsjellë. Duke kapërcyer edhe ‘retë e krizës’, që e kanë mbuluar qiellin nganjëherë, kemi vazhduar të ecim së bashku në jetë. Për hir të kësaj miqësie, shkruan Patriarku, u urojmë festën vëllezërve tanë myslimanë, duke vajtuar për viktimat e pafajshme, të krishterë e myslimanë, gra e burra, pleq e të rinj, që humbin jetën çdo ditë, duke i lagur me gjak rrugët, shtëpitë, vendet e kultit të qyteteve e fshatrave tona. Të përqafuar nga vdekja e përbashkët, e përziejnë gjakun, ashtu siç ka qenë gjithnjë në historinë, qytetërimin e kulturën e tyre.
Gregorios III u bën thirrje të gjithë arabëve të bashkohen për ta shpëtuar Islamin dhe muslimanët nga armiqtë, që duan ta fundosin në humnerë Lindjen e Mesme. Ne të krishterët, shkruan ai, jemi mbrojtësit më të sinqertë të Islamit, sepse e dimë se jetojmë bashkë me myslimanët, në të mirë e në të keq. Të krishterë e myslimanë janë garantët më të mirë të njëri-tjetrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.