2014-07-30 18:04:12

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë bën të ditur programin e vizitës së Papës Françesku në Tiranë


Nesër, më 31 korrik, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë bën të ditur programin e vizitës së Papës Françesku në Tiranë, më 21 shtatorin e ardhshëm. Në komunikatën për shtyp të përgjegjësit për mediat me rastin e vizitës së Atit të Shenjtë, don Gjergj Metës, sqarohet se gazetarët do të takohen në orën 12.00 në Selinë e Arqipeshkëvisë së Tiranës, Bulevardi Zhan D’Ark, me kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, me kryetarin e ipeshkvijve të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, me ipeshkvin-ndihmës të Tiranës, Imzot George Frendo, me Dr. Albert Nikollën, Koordinator i Përgjithshëm i Udhëtimit Apostolik të Papës Françesku si edhe me vetë Dom Gjergj Metën.
Ata do të përshkruajnë shkurtimisht momentet e veçanta të Programit të Papës për atë ditë. Do të paraqitet logoja e këtij udhëtimi nga ana e Koordinatorit të Përgjithshëm bashkë me procedurat e Akreditimit të gazetarëve nga ana e Përgjegjësit të Përgjithshëm të Strukturës Informative.








All the contents on this site are copyrighted ©.