2014-07-30 14:51:08

Atë Dall’Oglio akoma në duart e integralistëve në Siri


Lutje e meshë, dje, në shumë qytete të botës, për t’i kërkuar Hyjit të Gjithpushtetshëm lirimin e atë Paolo Dall’Oglio, jezuit italian, rrëmbyer pikërisht një vit më parë në Siri. Autorët e sekuestrimit të islamologut të njohur janë milicët e Shtetit Islamik të Irakut e Sirisë, që po e shtrijnë veprimtarinë e po përpiqen të përfshijnë në luftime edhe Jordaninë. Së bashku me atë Dall’Oglio-n, akoma nuk dihet ku janë katër klerikë të tjerë – dy peshkopë ortodoksë dhe dy meshtarë, njëri katolik e tjetri ortodoks - si edhe mijëra civilë. Familja e jezuitit u bëri thirrje përgjegjësve të lajmërojnë për fatin e të afërmit të tyre, ndërsa nunci apostolik, imzot Zenari, përmes mikrofonit të Radio Vatikanit, kërkoi mëshirë e ftoi të mos humbet shpresa.
Kur sekuestrohej atë Dall’Oglio, më 29 qershor të vitit të kaluar, gazetari italian i “La Stampa”-s, Domenico Quirico ndodhej në duart e rrëmbyesve të tij, në të cilat mbeti për pesë muaj, nga 9 prilli deri më 8 shtator 2013. Ia afruam edhe atij mikrofonin tonë:
Është e tmerrshme si kalon koha! Unë kam qenë peng për 5 muaj e tani, bëj krahasimin absurd ndërmjet kohës sime, që për mua ishte jashtëzakonisht e gjatë, dhe asaj të atë Dall’Oglio-s. U mbush një vit tashmë! Ndjehem sikur po e kaloj unë edhe kohën e atyre pengjeve, që detyrohen të përjetojnë kushtet e tmerrshme të sekuestrimit, burgosjes, ndarjes nga të tjerët, nga bota, nga të afërmit, nga jeta, nga gjithçka! Kjo do të thotë të jesh peng: të privohesh nga çdo gjë për të cilën ia vlen të jetosh. Kjo më vjen ndërmend kur mendoj për atë Dall’Oglio-n dhe për pengjet e tjera: janë të lidhur me zinxhirë me një kohë boshe! Kjo është drama e të sekuestruarit.
Imzot Zenari bën thirrje të mos e humbasim shpresën…
Kjo më ka mbajtur gjallë për pesë muajt e burgosjes. Njeriu ka një forcë të jashtëzakonshme për të rezistuar. Fati të sillet rrotull si çekan, duke goditur mbi vazon e ekzistencës sate, për të zbuluar pikën e dobët. E megjithatë, edhe pse copë-copë, njeriu, në çdo fragment të tij, e ruan gjallërinë. Gjen rrugë tjetër, vijon të ecë, i jep vetes guxim. E pastaj, feja ime s’është asgjë në krahasim me atë të Dall’Oglio-s e, kush ka fe – siç e them gjithmonë – nuk është kurrë vetëm. Jam i sigurtë se përkrah atë Dall’Oglio-s ka një prani të brendshme, të përsosur, të vazhdueshme, që e mban, që e bën të kapërcejë ditët, muajt e kaluar e shpresoj edhe ato pak, që i mbeten, për t’u kthyer sërish në liri.
Për Sirinë flitet më pak, kohët e fundit, por konflikti vazhdon. Në ç’gjendje jetojnë aktualisht sirianët?
Ka katër vjet që po kacavirren, po kapen me thonj pas kësaj rezistence të jashtëzakonshme njerëzore, për të vazhduar të rezistojnë, të krishterë e jo. Sirinë nuk e kemi më para sysh, sepse ne nuk dimë të shohim. Në të vërtetë, ngjarjet që po ndodhin në këtë anë të botës – i referohem krijimit të Kalifatit islamik e ngjarjeve në Siri e në Irak – nuk janë tjetër, veçse shumëfishimi i një fare të tmerrshme, hedhur në Siri në mesin e indiferencës dhe të paaftësisë sonë për të kuptuar. Lindja e një shteti territorial mbi bazën e fanatizmit fetar, mbi bazën e një interpretimit fanatik e totalitar të fesë, është ngjarje, që sipas meje, do të lerë shenjë jo vetëm në historinë e asaj ane të globit, por në historinë e gjithë botës. E kjo lindi në Siri. Po rritet filizi i helmit sirian. E gjithë kjo është pasojë e ngjarjeve të katër vjetëve të fundit në Siri. Është paaftësia jonë për të parë se nga luftë e brendshme ndërmjet përkrahësve të Bashar al Asadit dhe armiqve të tij, ky konflikt është kthyer në diçka tjetër. Fryhet e fryhet e fryhet, derisa të mbysë edhe përpjekjet tona të përsëritura e absurde për ta fshehur kokën në rërë, për të mos parë, për t’u kthyer nga ana tjetër, për të mos kuptuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.