2014-07-29 10:24:41

Libi. Kaedistët në veprim: të krishterët ikin nga Bengazi


“Të shtënat nuk kanë reshtur në afërsi të qendrës së qytetit dhe lëvizjet janë të kufizuara, kryesisht për të krishterët”, njofton nga Bengazi ati françeskan Amado Baranquel, i cili thotë se besimtarët “kanë frikë edhe të shkojnë në Kishë, sepse druajnë se i rrëmbejnë”. Kohët e fundit “kanë zbritur një filipinas nga makina e ndërmarrjes për të cilën punonte, sepse ishte i krishteri i vetëm, dhe i kanë prerë kokën”, njofton rregulltari françeskan.
Edhe kongregatat e motrave rregulltare janë detyruar ta braktisin qytetin, për arsye sigurie. Motrat e Dashurisë së Zojës së Papërlyer të Ivresë dhe ato të Kryqit të Shenjtë kanë kthyer në Romë, duke kaluar nëpër Tuniz. “Dy prej motrave – njoftojnë nga shtëpia e eprores së përgjithshme të kongregatës së Ivresë – janë kthyer të premten me një avion ushtarak, ndërsa gjashtë të tjerat të shtunën, me fluturimin e linjës”. Motrat janë të trembura, por janë mirë.
Të krishterët kanë frikë për shkak të brigadave islamike me frymëzim kaedist, thotë atë Baranquel, i cili saktëson se pjesa më e madhe e popullsisë vendase është kundër tyre. Shpresa e vetme është formimi i një qeverie pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit të shkuar. Sipas të dhënave që dolën javën e kaluar, kandidatët laikë kanë marrë më shumë vota se ata pranë forcave islamike.








All the contents on this site are copyrighted ©.