Lion. Marshim për të krishterët e Irakut. Patriarku Sako: “Mos na harroni!”
Zemra “pikon gjak për të pafajshmit, që vdesin apo dëbohen nga shtëpitë e veta”, kur
mendojmë për gjendjen në Irak, Siri e Gazë, ndërsa shpirtin e zë trishtimi, kur shohim
“ndrojtjen e botës së civilizuar kundrejt nesh”. Bashkësia ndërkombëtare nuk po ndërmerr
asnjë veprim. Kështu u shpreh patriarku i Babilonisë së kaldeasve, Louis Sako, në
një mesazh dërguar kryeipeshkvit të Lionit, kardinalit Philippe Barbarin – njofton
agjencia AsiaNews. “Guximi juaj, lutja dhe afërsia e atyre që janë mbledhur rreth
jush në këtë marshim solidariteti – shkruan patriarku Sako – na e mban zgjuar besimin
dhe forcën për të shpresuar. Krishtërimi lindor nuk duhet të zhduket. Zhdukja e tij
është mëkat mortar dhe humbje e madhe për Kishën dhe mbarë njerëzimin. Ai duhet të
mbijetojë, apo më mirë të jetojë në liri e dinjitet”. Mesazhi u lexua të shtunën
e kaluar, gjatë një marshimi të organizuar nga dioqeza e Lionit, në shenjë solidariteti
me të krishterët e Irakut, gjendja e të cilëve është bërë tragjike pas pushtimit të
veriut të vendit nga ushtria islamike, që ka përuruar në Mosul kalifatin islamik.
Para disa ditësh ka dalë një edikt, i cili u vë këto kushte të krishterëve: ose të
kthehen në islam, ose të paguajnë taksën e të pafeve, ose të braktisin qytetin e të
arratisen.