2014-07-28 18:24:32

Delegacioni i Kishës franceze në Irak: indiferencë e tepruar ndaj të krishterëve


Një delegacion i Kishës katolike franceze filloi sot një vizitë solidariteti tek të krishterët e Irakut, ekzistenca e të cilëve është gjithnjë e më e kërcënuar nga lufta dhe nga marshimi integralistëve të të ashtuquajturit Shtet islamik. Në Mosul, pas gati 2000 vjetësh, nuk ka më të krishterë, sepse janë dëbuar me forcë nga shtëpitë e nga qyteti. Delegacioni, i udhëhequr nga kardinali Philippe Barbarin, kryeipeshkëv i Lionit, do të takojë, ndër të tjerë, patriarkun e Babilonisë së Kaldeasve, Louis Raphael Sako I. Në këtë mision merr pjesë edhe ipeshkvi i dioqezës Evry-Corbeil-Essones (Evri-Korbej-Eson), Imzot Michel Dubost, të cilin e intervistuam:

Nuk duhet të lejojmë që vëmendja për sa po ndodh sot, kryesisht në Gazë, të na bëjë të harrojmë se të krishterët e Lindjes janë duke përjetuar një çast tejet të vështirë. Dëshirojmë t’u tregojmë këtyre vëllezërve e motrave se jemi solidarë me ta dhe duam të gjendemi pranë tyre me gjithë zemër.

Ju denonconi indiferencën kundrejt përndjekjeve që pësojnë të krishterët e këtyre vendeve...

Është e qartë se, meqë nuk ka shumë pamje televizive, ndiqet vetëm gjendja në Gazë. Për Sirinë dhe Irakun nuk kemi pamje televizive. Megjithatë, këtu, të krishterët vuajnë shumë, por flitet pak ose aspak. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është t’i njoftojmë njerëzit për këtë vuajtje.

Ju thoni se bashkësia ndërkombëtare nuk është angazhuar për zgjidhjen e këtyre konflikteve...

Bashkësia ndërkombëtare, tashmë prej kohësh, po tregon pafuqinë e saj. Presidenti Bush vendosi të ndërhynte në Irak, por hapi kutinë e Pandorës, duke bërë më shumë keq se mirë. Sot “Kalifati” ka shumë para, shumë burime e shumë mjete. Kjo është me të vërtet shqetësuese për paqen në botë. Duhet që fuqitë e mëdha të shqetësohen me kohë, por nuk dinë çfarë të bëjnë. Ky është problemi.

Çfarë prisni nga ky mision në Irak?

Pritjet tona janë shumë të qarta. Duam para së gjithash të takohemi me këta njerëz, t’u themi se jemi pranë tyre shpirtërisht. Sigurisht, është një ngushëllim i vogël, por, kur vuhet, është e rëndësishme të ndjesh se të tjerët janë afër, pranë. I lutemi Zotit t’i ndryshojë zemrat. Nuk ka zgjidhje tjetër. Ne shkojmë në Irak si të varfër, por të varfrit mund ta ndryshojnë botën.








All the contents on this site are copyrighted ©.