Papa meshtarëve të Kazertës: krijues, të bashkuar me ipeshkvin, pranë njerëzve
Dialog i thellë, që zgjati më se një orë, në një atmosferë shumë familjare, me batuta
të mprehta e të qeshura me gjithë zemër: kështu ishte biseda e Papës me meshtarët
e Kazertës, ngjarja e parë e vizitës në qytetin kampan. Takimi u mbajt në Pallatin
Mbretëror, e pikërisht, në Kapelën Palatine. Siç ndodh shpesh, Papa e la mënjanë fjalimin
e shkruar dhe iu përgjigj pyetjeve të priftërinjve. Pyetjes “cili është identikiti
i priftit të sotëm”, iu përgjigj: “Gjëja e parë është të punojë me frymë krijuese": “Nëse duam të
jemi krijues në Shpirtin Shenjt, domethënë në Shpirtin e Zotit Jezus, nuk ka rrugë
tjetër, veç asaj të lutjes. Ipeshkvi që nuk lutet, prifti që nuk lutet e mbyll portën,
e mbyll portën e frymës krijuese”. Vlera e dialogut, pastaj: “Nëse unë
nuk jam i sigurtë për identitetin tim e shkoj të dialogoj, nuk bëj tjetër veçse të
shtrembëroj fenë time. Nuk mund të dialogohet, pa u nisur nga identiteti e empatia,
domethënë të mos dënosh a priori. Çdo burrë e çdo grua, ka diçka të vetën për të dhuruar;
çdo burrë e çdo grua ka historinë e vet, ka gjendjen e vet, e ne duhet ta dëgjojmë.
Pastaj maturia e Shpirtit Shenjt do të na thotë si duhet të përgjigjemi”. Kisha
nuk rritet përmes prozelitizmit, rritet përmes thellimit të forcës së saj tërheqëse,
vërejti Papa, që i nxiti të gjithë t’i thonë gjërat shkoqur, pa përgojuar. Françesku
ngriti përsëri zërin kundër thashethemeve, duke nënvizuar dëmin e rëndë, që bëjnë.
Vërejtje me vlerë jo vetëm për meshtarët, por për të gjithë, besimtarë e jo. Ja si
duhet të veprojë meshtari, kur ka ndonjë pakënaqësi, pavarësisht nga pasojat: “Ti
je burrë, prandaj po të kesh ndonjë gjë kundër ipeshkvit, shko e thuaja në sy. Po
pastaj do të ketë pasoja jo të mira. Do të ngarkohesh me kryq, po ji burrë! Nëse je
burrë i pjekur e shikon ndonjë gjë në vëllain tënd meshtar, që nuk të pëlqen ose të
duket e gabuar, shko e thuaja në sy, ose nëse e shikon se ai nuk do të ndreqet, shko
e thuaja ipeshkvit ose mikut më të ngushtë të këtij meshtari, që të mund ta ndihmojë
për t’u korrigjuar. Po mos shko t’ua thuash të tjerëve: sepse kjo do të thotë të përbaltësh
njëri-tjetrin. E djalli shkrihet nga kënaqësia e një “gostie” e tillë, sepse kështu
godet qendrën e përshpirtërisë së klerit dioqezan. Për mua përgojimet bëjnë dëm të
rëndë”. Papa pohoi se nuk dëshiron të shikojë priftërinj të zemëruar, që të
duket sikur ushqehen veç me uthull. Nuk do një Kishë me njerëz të zemëruar, të zymtë,
të acaruar. Do një Kishë gazmore, ku ndjehet fort uniteti i priftërinjve me ipeshkvin,
ku vlerësohet larmia e karizmave, gjithnjë në unitet. Kujtoi, më pas, vlerën e shenjtëroreve
e të rrëfyestoreve të tyre, ku shikohen mrekulli. Vlerësoi, kështu, përshpirtërinë
popullore, lidhjen me popullin, që lutet, me popullin shtegtar, kërkoi të aktivizohen
të rinjtë, me frymë krijuese, duke menduar forma të reja të impenjimit të tyre misionar. Ati
i Shenjtë e përfundoi takimin me fjalët: “Ju falënderoj, vërtet, e ju kërkoj
të luteni për mua, sepse edhe unë i kam vështirësitë e çdo ipeshkvi e duhet të marr
ditë për ditë udhën e pendesës. Lutja njëri për tjetrin na bën mirë për të ecur përpara”.