Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII (4)
Shqipëria në kohën e Papës Albani Sot, emisioni ynë i tretë, mbështetur
mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës
së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve
“Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013. Studimi thellohet kryesisht
në situatën e katolikëve në të gjithë shtrirjen e Perandorisë, gjatë shekullit XVIII,
pa prekur drejtpërdrejt gjendjen e katolikëve shqiptarë në këtë shekull, që mund të
quhet edhe shekull i misionit. Emisioni ynë i sotëm pasqyron pikërisht këtë gjendje,
“në kohën e Papës Albani”.
Në shekullin XVII ledhet e fundme mbrojtëse bregdetare
të Venedikut ranë. Depërtimi turk u thellua. Kushtet e jetës së klerit, në atmosferën
e përhapjes gjithnjë më të madhe të fesë islame, u bënë tejet të vështira. Posaçërisht
ndër qytete, nisen të ndërtohen jo vetëm xhami, por edhe shkolla fillore e të mesme
(medrese) që pregatisnin klerin e ultë e të lartë islam. Përballë një kërcënimi të
tillë, kleri e hjerarkia katolike nisën përpjekjet e lavdrueshme për t’u riorganizuar.
Hierarkia u rikthye në selitë ipeshkvnore dhe filloi veprimtarinë për formimin e klerit
shekullar, gjë që e nxiti Kongregatën e Propagandës së Fesë, të sapothemeluar, të
jepte ndihmesën me kolegjet e veta: kolegjën greke të Shën Athanasit (1572), atë Urbaniane,
Ilirike të Loretos (1580) e Ilirike të Fermos (1631) si dhe me rifillimin e misioneve
françeskane italiane (1634). E pikërisht në këtë kohë, kur Kisha katolike shqiptare
kishte nevojë më shumë se kurrë për ndihmë e mbështetje, në fronin e Shën Pjetrit
u ul papa, që shpalli botërisht zanafillën e vet shqiptare: Klementi XI Albani. Papa
shqiptar nisi të interesohej menjëherë për rilindjen politike e fetare të atmes së
të parëve, përmes kryeipeshkvit reformator të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç, të cilit
i kërkoi të bënte vizitën kanonike në të gjitha kishat dhe qendrat katolike të Shqipërisë.
Pas vizitës, që e kreu brenda tre muajve, në dhjetor 1703, prelati mblodhi në Kuvend
kryetarët e klerit. Ndërkaq, u ndje një frymë afrimi me Kishën ortodokse e nisi
të flitet për një farë bashkimi. Kjo përpjekje, që nuk u realizua, ndikoi për krijimin
e selive kryeipeshkvnore për latinët, në Ohër e në Shkup. Rreth vitit 1577, në Himarë
u vendos një mision katolik lindor. Nën drejtimim e misionarëve bazilianë, ortodoksët
e Himarës, të ndihmuar politikisht nga Papa, i prenë lidhjet me peshkopatën e Janinës,
pa hequr dorë nga riti e liturgjia bizantine. Por shumë shpejt Patriarkana e Stambollit
ndërhyu energjikisht dhe, rreth vjetës 1628, e rivendsoi ndikimin e vet në Shqipërinë
e jugut. Në shekullin XVIII vijoi puna për rifillimin e plotë të veprimtarisë
së Kishës. Pritej që kjo punë të ecte me ritme të shpejta, falë autonomisë së fiseve
malësore, të mbrojtur me armë për faqe, dhe lulëzimit të bashkësive të pasura tregtare
kristiane. Por ritmet u ngadalësuan për shkaqe të vjetra e të reja. Shkaku i parë
ishte mungesa e klerit, në sa lidhjet civile me mjediset myslimane ndikonin në përhapjen
e indiferencës fetare. Shkak tjetër i rëndësishëm, joshja për të ndjekur karrierën
ushtarake, që Turqia nuk ngurronte t’ua siguronte shqiptarëve, mjafton që të ktheheshin
në fenë islame. Fanatizmit të sundimtarëve turq, i shtohej edhe apostazia e shumë
familjeve vendase, që kishin zgjeruar feudet e tyre, duke siguruar edhe të drejtën
e trashëgimisë. Por gjithsesi, nuk duhet menduar se kalimi në islamizëm qe aq i thjeshtë:
shqiptarët zbuluan një mënyrë të re, për t’iu përshtatur rrethanave të reja: ndërruan
emrat, por jo fenë. Nisi, kështu, fenomeni i kriptokristianizmit apo, më kuptueshëm,
i laramanizmit. Laramanët përdornin emrin e ri turk në marrëdhëniet me mjediset sunduese
e emrin e vjetër katolik, në vatrën familjare. Ishte kthim në islamizëm sa për sy
e faqe. Shpesh vetëm i një dege të familjes, që zakonisht zgjidhte sektet më pak fanatike
e më afër fesë së krishterë, si bektashinjtë. Kjo ishte situata, që i parapriu
shekullit XVIII dhe uljes së Papës Albani në fronin e Shën Pjetrit.