2014-07-27 19:11:08

Françesku në Kazertë: të shpresohet në Jezusin, të pranohen të papranuarit, të mbrohet ambienti


Ftesa për të shpresuar në Jezusin, për t’i pranuar emigrantët e për ta shpëtuar Krijimin, e edhe ftesa për të mos e pranuar veprimtarinë e paligjshme e, sidomos, korrupsionin: këto, disa nga porositë më të rëndësishme, që u dha Papa besimtarëve gjatë Meshës, kryesuar para Pallatit Mbretëror të Kazertës, në praninë e më se 200 mijë vetëve. Pasi i falënderoi të pranishmit për mikpritjen e përzemërt, njoftoi se brenda vitit do të jetë në Napoli. RealAudioMP3

Mos lejoni t’jua vjedhin shpresën! Me këtë thirrje e përfundoi homelinë Papa, duke iu drejtuar dhjetra mijëra besimtarëve të Kazertës, që e pritën për orë të tëra, edhe nën shi, të bindur se Françesku do t’u fliste fjalë shprese, se do t’ua rikthente guximin e humbur në ndeshjen e përditshme me një shoqëri, që vijon të bëjë hapa mbrapa në fushat më delikate të jetës. Të gjithëve, Papa u kujtoi se shpresa është Jezusi, se është Zoti, thesari, që e shndërron jetën e njerëzve, sapo ta gjejnë.
Përmes shëmbëlltyrës së tregtarit të pasur e të fshatarit të varfër e të pasurive, që zbuluan, margaritarit e thesarit, Jezusi na mëson ç’është Mbretëria e Qiellit, si mund të gjindet, ç’duhet të bëjmë për ta pasur, sepse nga të dyja shëmbëlltyrat, kuptojmë se Mbretëria e Hyjit bëhet e pranishme në vetë Jezusin. Gëzimi i fshatarit e i tregtarit, kur i gjejnë këto thesare, është i njëjtë me gëzimin e njeriut, që zbulon në jetë afërsinë dhe praninë e Jezusit:
“Prani, që e shndërron jetën e na bën t’ua hapim zemrën vëllezërve; prani, që fton për të pranuar çdo prani tjetër, edhe atë të njeriut të huaj, edhe atë të emigrantit. Prani mikpritëse, prani e hareshme, prani e frytshme. Kështu është Mbretëria brenda nesh”.
Çdo besimtar takohet në mënyrë të veçantë me Jezusin; njëri e kërkon, tjetri e zbulon papritur e pa kujtuar, por gjithnjë, vijoi Papa, është Ai, që na kërkon. Ai ia krijon mundësinë për ta gjetur, edhe atij, që nuk e kërkon, në vende të pazakonta e në kohë të papritura:
E Jezusi është mes nesh. Ai është këtu, sot. E ka thënë vetë: ‘Kur mblidheni në emrin tim, unë jam mes jush!’. Zoti është këtu, është me ne, mes nesh”.
Gjindet në mënyra të ndryshme, por reagimi, si ta kesh gjetur, është i njëjtë: mbetesh i mrekulluar, i pushtuar, i gatshëm për ta lënë plot gëzim jetën e zakonshme, nganjëherë të thatë a të amullt, për ta rrokur Ungjillin, për t’u udhëhequr nga logjika e re e dashurisë, e shërbimit të përvuajtur, pa kurrfarë interesi. Prej këndej Françesku, ashtu si ka bërë edhe herë të tjera, i ftoi besimtarët ta kenë gjithnjë pranë Ungjillin, për ta lexuar ditë për ditë një copëz prej tij:
“Sa nga ju e lexojnë çdo ditë një fragment të Ungjillit? E sa nga ju, ndoshta, nxitojnë ta kryejnë sa më shpejt punën, për të mos e humbur telenovelën… Ta kesh Ungjillin në duar, ta kesh Ungjillin mbi komodinë, ta kesh Ungjillin në çantë, ta kesh Ungjillin në xhep, për ta hapur pastaj e për të lexuar Fjalën e Jezusit: kështu vjen Mbretëria e Hyjit. Lidhja me Fjalën e Jezusit na afron tek Mbretëria e Hyjit. Mendoni mirë; një Ungjill të vogël, gjithnjë me vete. Një Ungjill, që hapet rastësisht në njërën nga faqet, e ti e lexon. Lexon ç’të thotë Jezusi. Jezusi është aty”.
Por, për ta shtënë në dorë Mbretërinë e Hyjit, vërejti Ati i Shenjtë, nuk mjafton entuziazmi: duhet vënë Ai, në vendin e parë:
“T’i japësh vendin e parë Hyjit, do të thotë të kesh guxim t’i thuash jo së keqes; jo, dhunës, jo padrejtësive; do të thotë të jetosh në shërbim të të tjerëve, të veprosh sipas ligjit, të mbrosh të mirën e përbashkët”.
Kur njeriu e zbulon Zotin, nuk mund të vijojë më të jetojë i mbyllur brenda vetes, nuk e duron më egoizmin, kërkon ta ndajë me të tjerët dashurinë, që buron nga Zoti. Kush bëhet mik i Hyjit, i do vëllezërit, lufton për ta shpëtuar jetën e tyre e shëndetin e tyre, edhe përmes respektimit të mjedisit e të natyrës, vijoi Françesku, duke prekur, më pas, një aspekt tejet të dhimbshëm të jetës të kësaj toke a, më mirë të themi, të kësaj nëntoke, të helmuar nga mbeturinat …:
“E di se vuani për këto gjëra. Sot, kur arrita, një prej jush m’u afrua e më tha: ‘Atë, na jep shpresë’. Po unë nuk mund t’ju jap shpresë, unë mund t’ju them se ku është Jezusi, atje është edhe shpresa; ku është Jezusi, atje vëllezërit duhen, atje ndjehet fort impenjimi për ta mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, edhe duke respektuar mjedisin e natyrën. Kjo është shpresa, që nuk të zhgënjen kurrë, shpresa, që jep Jezusi”.
Toka juaj, vijoi Ati i Shenjtë, kërkon kujdes e mbrojtje…
“.. ju kërkon të merrni guximin e t’i thoni jo çdo forme të korrupsionit e çdo forme të veprimeve të paligjshme. Të gjithë e dimë mirë si quhen këto forma të korrupsionit e të shkeljes së ligjit. E kjo kërkon që të gjithë të jenë shërbëtorë të së vërtetës e të zgjedhin, në çdo situatë, stilin ungjillor të jetës, që shprehet në dhurimin e vetes e në vëmendjen për të varfrin, për të përjashtuarin. Ta pranosh të varfrin, të papranuarin! Bibla është plot me thirrje të tilla. Zoti na thotë: ju bëni këtë apo atë, pak rëndësi ka për mua. Ajo, që ka rëndësi para syve të mi, është që jetimi të kujdesohet, vejusha të mbrohet, i papranuari të pranohet, Krijimi të mbrohet. Kjo është Mbretëria e Hyjit!”.
Në përfundim, Françesku kujtoi se në Kazertë kremtohej festa e Pajtores, Shën Anës:
“Mua më pëlqen ta quaj gjyshja e Jezusit e sot është një ditë e bukur për të kremtuar gjyshet. Kur temjanisja, pashë diçka tejet të bukur; shtatorja e Shën Anës nuk është e kurorëzuar, e bija, Maria, është e kurorëzuar. E bukur, kjo. Shën Ana është gruaja, që e përgatiti të bijën të bëhej mbretëreshë, mbretëreshë e qiellit dhe e tokës. Punë të bukur bëri kjo grua! Punë të bukur”.
Françesku i ftoi besimtarët ta jetojnë festën e Pajtores, të lirë nga çdo kushtëzim, si shprehje e fesë së pastër të një populli, që e ndjen veten Familje e Hyjit e fuqizon lidhjet e vëllazërisë e të solidaritetit.
Ati i Shenjtë u nda nga turma vigane popullore në festë të dyfishtë, me thirrjen:
“Kini shpresë, shpresa nuk zhgënjen. E mua më pëlqen të përsëris: mos lejoni t’jua rrëmbejnë shpresën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.