2014-07-25 16:31:27

Sfera politike e shoqërore në fjalët e Françeskut: intervistë me atin jezuit Francesco Occhetta


Papa Françesku më se një herë ka prekur çështje të sferës publike, duke nisur nga puna, korrupsioni, kriminaliteti i organizuar. Me çfarë efekti?RealAudioMP3

“Papa po i zgjon ndërgjegjet. Po u flet njerëzve të thjeshtë e shoqërisë, më shumë sesa përmasave institucionale e politike. Po kërkon riorganizimin e shoqërisë. Kërkon që nga gjiri i saj të lindin kultura të reja politike, burra të rinj e gra të reja, që nuk i përkasin vetëm shtresës politike, ku rriten pranë e pranë gruri e egjra. Ja, pra, mund të themi se Papa po mbjell në truallin e shoqërisë. Po i zgjon ndërgjegjet. Thekson se korrupsioni është sëmundje, që duhet shëruar. Kërkon që secili të marrë mbi vete përgjegjësitë e veta. Kërkon nga hjerarkia e nga priftërinjtë të mos merren me problemet konkrete, por t’i shoqërojnë proceset dhe gjykimet e shekullarëve në politikë. Kërkon, për temat ndërkombëtare, për paqen, drejtësinë, punën, të bashkëpunojë edhe me njerëz, që nuk besojnë”.

Atë Occhetta, a po ndryshon, me Françeskun, roli i katolikëve në politikë?

“Do të thosha se jo. Papa po çon përpara vijën, që e gjeti në Kishë, atë të përgjegjësisë për formimin e shekullarëve. I ka ftuar disa herë të impenjohen. Po i flet, siç e thashë, më shumë shoqërisë, sesa institucioneve. Ndërmjet tjerash, Papa i përket një konteksti shoqëror, si ai i Amerikës Latine, tejet i rëndësishëm, ku konfliktet shoqërore janë shumë të ndjeshme e hendeku shoqëror ndërmjet shtresave të shoqërisë, tejet i thellë. Ku, nëse nuk mbrohen njerëzit, që nuk kanë zë, veprimtaria politike nuk ka kurrfarë fryti, madje bëhet e rrezikshme, sepse mjaftohet me mbrojtjen e pushtetit. E Papa është tejet i ndjeshëm ndaj një situate të tillë”.

Sa mund ta dëmtojë drejtimin e së mirës së përbashkët, në një shoqëri moderne, si jona, kriza e kërkimit të Zotit?

“Kriza e kërkimit të Zotit nuk ndihmon për të pasur horizont të përbashkët, e as për ta vënë të mirën e përbashkët mbi interesat vetjake e partiake. Kur njeriu beson në Zotin, në Zotin që mishërohet, ç’duhet të bëjë? Duhet t’i mishërojë ndjetet e qëllimet e veta. Të jetojë, si jetoi Zoti. Të falë, t’i zgjidhë problemet e paqes e të konflikteve e t’i përshkojë udhët e botës, duke dëshmuar të vërtetën e duke e kërkuar këtë të vërtetë edhe brenda ndërgjegjes së tij. Përvoja e Zotit e ndihmon shoqërinë të jetojë. Nuk është aspak e vërtetë se përvoja e Zotit në politikë mungon. Problemi është se ndjehet gjithnjë më pak, sepse ka shumë forca të pushtetshme që, objektivisht, mundohen t’ia zënë frymën kërkimit të Zotit në këtë sferë kaq të rëndësishme. Pse? Sepse i pengon shumë këto forca, që duan ta përjetësojnë pushtetin”.

Faktikisht, të duket se politika ka prirjen t’i fshehë vlerat e parimet. Politikanëve u pëlqen më shumë të mendojnë për një shoqëri të lehtë, të kërkojnë miratime që arrihen lehtë, për ta kënaqur lehtësisht opinionin publik. Është zanafillë e pushtetit të ri?

“E vërteta është se janë zhvendosur qendrat e pushtetit e politika nuk është më e para në drejtimin e tyre. Nga njëra anë shtypet nën thundrën e financës, duke nisur nga liberalizmi që, me globalizimin, i rrënoi tregjet e kursimet e shumë njerëzve të varfër. E komandon, sepse një industri e madhe globale sot mund të ndikojë shumë më tepër mbi vendimet e qeverive në shtetet e ndryshme. Ndërsa nga ana tjetër, shikojmë një instancë të tërë, që po lind nga shoqëria civile. Kërkohet nga politika t’i drejtojë me frymë më njerëzore shumë procese e shumë tema, që as politika nuk ishte ende e gatshme t’i drejtonte. Mendojmë për temat shoqërore, temat antropologjike, temat kulturore; për filozofinë e re, që hyn nga Amerika; për gjithë diskutimin pas-human. Mendoj se teknicizimi i politikës, mediatizimi e privatizimi i saj, janë tema që i kanë penguar ndryshimet e vetë politikës. Me mbylljen në oligarkinë politike, partitë nuk lejojnë që aty të hyjnë njerëz të dalë nga gjiri i shoqërisë civile e të ligjëruar nga vetë populli. Kam përshtypjen se partitë, të gjitha, sundojnë duke u rrethuar fort me gardhin e vetëpëlqimit, të vetëvlerësimit, gjë që shpesh nuk ka të bëjë fare me atë që dëshirojnë njerëzit e thjeshtë”.











All the contents on this site are copyrighted ©.