2014-07-25 16:12:15

Imzot D’Alise: Françesku në Kazertë do t’i shkundë ndërgjegjet


Priten më se 200 mijë besimtarë nesër, në Kazertë, për të marrë pjesë në Meshën, që do ta kryesojë, në orën 18.00, Françesku, në ditën e festës së Shën Anës, pajtore e qytetit. Para kremtimit, në orën 16.00, takimi i Papës me klerin vendas.
Pak, pra, orët, që do të kalojë Françesku në qytet, por kjo është vizita e tij e parë në Kampania, zonë tjetër jugore, rënduar nga një mori problemesh, që nga prania vdekjeprurëse e kamorrës, tek helmet e “Tokës së zjarrit”… Prej këndej, shpresat janë të mëdha. Për to flet, në mikrofonin tonë, imzot Giovanni D’Alise, emëruar kohët e fundit nga Papa, ipeshkëv i Kazertës:RealAudioMP3

Përgjigje: - Gëzimi nuk është vetëm imi. Unë e shikoj qytetin në valim. E jo vetëm qytetin, por edhe shumë njerëz, nga të katër anët e Kampanies, që duan të jenë të pranishëm. Jemi në pritje të fjalës së Atit të Shenjtë, sepse këtu, në Kazertë, jetojmë, ashtu si shumëkush e përsërit, në një situatë të vështirë. Unë jam ipeshkëv këtu vetëm prej dy muajsh e shprehja që kam dëgjuar më shpesh, është “situatë e vështirë”: civile, por edhe kishtare. Prej këndej, vizita e Papës është ngushëllim i madh për ne!

Pyetje: - Një tokë e mrekullueshme, por me ajër, që të zë frymën. Ç’shpresoni nga fjalët e Papës?
Përgjigje: - Është e vërtetë. Shpresojmë, prandaj, se Papa jo vetëm do të na ikurajojë, por edhe do të na drejtojë, do të na mësojë si të sillemi, sepse ne jemi të zhytur deri në grykë në problematika nga më të ndryshmet. Po kujtoj, për shembull, kriminalitetin e organizuar: këtu nuk është tipik, por ndjehet. Vështirësitë e të rinjve, pastaj. Papunësia është e madhe e shpresoj se Papa do ta thotë një fjalë edhe për breznitë e reja. Ne punojmë pikërisht për t’i inkurajuar të rinjtë, për t’u dhënë ndonjë mundësi. Duke u nisur nga mënyra si po i përgjigjen njerëzia kësaj vizite, besoj se nuk do të jetë puhizë, që ngre pakëz pluhur, por diçka që do të depërtojë në thellësi të tokës e të jetës, duke i shkundur ndërgjegjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.