2014-07-24 14:39:49

Imzot Varduni qorton Perëndimin për të krishterët në Irak: pse heshtni?


Parlamenti irakian zgjodhi sot kurdin Fouad Massoum si president të vendit, hapi i parë drejt krijimit të një qeverie – mollë sherri ndërmjet fraksioneve të ndryshme të vendit. Parlamenti miratoi edhe ngritjen e një komisioni, i cili duhet të shqyrtojë gjendjen e të krishterëve, pas persekutimit të tyre në zonat e kontrolluara nga xhihadistët e Shtetit Islamik të Irakut e Sirisë (ISIS). Mungesa e një qeverie të pranuar nga të gjitha palët ka lënë, që nga prilli, një boshllëk të dukshëm në politikën e vendit, nga i cili kanë përfituar ideologët e ISIS-it kur shpallën krijimin e Kalifatit islamik. Formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse u kërkua sot edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, i cili ndodhet në Bagdad.
Pikërisht Kombeve të Bashkuara u ka shkruar Patriarku kaldeas, Louis Sako, duke kërkuar një rezolutë të qartë kundër Kalifatit islamik. “Ne të krishterët – nënvizon ai – jemi njerëz paqësorë, që duan paqe, në mesin e kësaj ndeshjeje ndërmjet shiitëve dhe sunitëve, në mesin e ndeshjeve ndërmjet grupeve ushtarake të armatosura. Bashkësia jonë ka kaluar vështirësi të shumta shkaktuar nga konfliktet sektare, nga sulmet terroriste, nga emigracioni e tani, edhe nga spastrimi fetar: milicët duan ta përzënë bashkësinë e krishterë”. Në një gjendje, që vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë, me viktima që shtohen ditë për ditë, së bashku me mizoritë e ligjet absurde të fundamentalistëve, Patriarku, në emër të ipeshkvijve katolikë të Irakut, i bën thirrje OKB-së të bëjë presion mbi qeverinë irakiane për mbrojtjen e të krishterëve e të pakicave të tjera etnike e fetare, si edhe të sigurojë ndihma për grupet e popullsisë, që kanë më tepër nevojë.
Ndërkaq, Bashkimi i Ulemave, apo i teologëve islamikë, dënon unanimisht shpërnguljen me forcë të të krishterëve nga veriu i Irakut, për herë të parë pas 2000 vjetësh. “Këto akte nëpërkëmbin ligjet dhe ndërgjegjen islamike”, deklaron shehu al Qaradawi. Arritëm t’i telefonojmë ipeshkvit-ndihmës të Bagdadit, imzot Shlemon Warduni, i cili aktualisht ndodhet në Arbil, në veri të Irakut, për takime me autoritetet lokale:
Ne gjendemi përballë kësaj situate. Patriarku e ne ipeshkvijtë jemi tani në veri e po përpiqemi të analizojmë këtë problem të rëndë, jashtëzakonisht të rëndë. Pyesim veten si është e mundur të ndodhin këto gjëra, krejtësisht të kundërta me dinjitetin e njeriut? Kundër Zotit, kundër njeriut… Sot paradite, shkuam tek presidenti i Kurdistanit e ai na premtoi shumë gjëra të bukura. Tha: “Ne, o ikim të gjithë bashkë, o rrimë të gjithë bashkë. Duhet t’ua presim rrugën këtyre njerëzve, që nuk kanë ndërgjegje, sepse bëjnë gjëra të tmerrshme kundër të gjithëve: fëmijë, pleq, të sëmurë…”. Na siguroi se do të mbrohen të krishterët. Ku është respekti për të drejtat e të krishterëve? I duhet thënë gjithë botës: Pse heshtni? Pse nuk flisni? Të drejtat e njeriut ekzistojnë, apo jo? E nëse po, ku janë? Fëmijëve, fëmijëve të vegjël, u rrëmbejnë ilaçet nga duart e ua hedhin përtokë… E kështu, në kaq e kaq raste! Së pari, duam të zgjohet ndërgjegjja e gjithë botës: ku është Evropa? Ku është Amerika?
Ç’mund të na thoni për popullsinë jo të krishterë? Si e përjeton këtë sulm të integralistëve kundër të krishterëve?
Deri para pak ditësh, edhe ata heshtnin si gjithë bota. Por, tani, po lëvizin edhe ata, sepse u kemi kërkuar të bëjnë diçka: kemi 1400 vjet, që jetojmë së bashku. Dua të them vetëm këtë: të dashur miq, njerëz të mbarë botës, po iu bëjmë thirrje me sa fuqi kemi, bëni diçka të paktën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut! Përpiquni t’u thoni të gjithëve të punojnë për paqen, të mos shesin armë. Sot, dëgjuam se ndër milicët e ISIS-it ka 2000 vetë, të ardhur nga Evropa…
Janë mercenarë…
Janë mercenarë, njerëz që vijnë nga Evropa! E na dhemb shpirti për këtë, u befasuam. Si është e mundur të vijnë këtu një belg, një zviceran…dymijë vetë për të luftuar kundër të krishterëve të pafajshëm… Ne lutemi për të gjithë, lutemi për paqen e ju kërkojmë edhe juve të luteni për paqen e për sigurinë e njerëzve, që nuk kanë ujë, nuk kanë drita, nuk kanë asgjë… Këta njerëz kanë nevojë për ndihmën tuaj, për të gjithë ju!








All the contents on this site are copyrighted ©.