2014-07-23 12:55:10

Papa Kishës Britanike: mbrojeni jetën nga çdo brishtësi


Mbrojeni jetën kundër “kulturës së vdekjes” dhe çoni dashurinë e Krishtit në vendet ku shfaqen “format e reja të varfërisë e të brishtësisë”. Kështu u shkruan Papa Françesku katolikëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Irlandës, të cilët më 27 korrik do të kremtojnë Ditën e përvitshme për jetën. Letra është nënshkruar nga sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.
Mos ktheni kurrizin, sepse “trupi i Krishtit”, i vuajtur, është mes nesh. Të pastrehët, të droguarit, refugjatët, emigrantët e pleqtë janë fytyra e varfërisë, që ka njëqind shprehi dhe të gjitha e sfidojnë ndërgjegjen e krishterë. Papa Françesku e gdhend mendimin e tij me gërma të qarta në Evangelii gaudium, numri 210, ku e fton Kishën të jetë “pa kufinj” dhe “nëna e të gjithëve”.
Një jehonë e qartë e këtij mendimi gjendet në Mesazhin e Papës për ditën kushtuar jetës, që do të kremtohet në Angli, Irlandë, Skoci e Uells, me titullin “#livelife mbroje dhe duaje jetën nga fillimi deri në fundin e saj të natyrshëm”. Papa Françesku përmend një fragment nga thirrja apostolike Evangelii gaudium, dhe u drejtohet veçanërisht të rinjve. Dita kushtuar “shenjtërisë së dhuratës së jetës, që vjen prej Hyjit, shkruan, ju frymëzoftë “ta luftoni kulturën e vdekjes, jo vetëm duke punuar për të garantuar mbrojtjen ligjore të së drejtës njerëzore themelore për të jetuar, por edhe duke u përpjekur të mbartni dashurinë mëshirëmadhe të Krishtit, si balsami që u jep jetë ‘formave të reja të varfërisë e të brishtësisë’, shumë shqetësuese dhe gjithnjë e më të pranishme në shoqërinë bashkëkohore”.
Të ardhurat e ditës për jetën në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Irlandë do të përdoren për të ndihmuar strukturat e Kishës vendore të angazhuara për mbështetjen dhe mbrojtjen e jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.