2014-07-23 14:22:45

Kardinali Tempesta kujton udhëtimin e Papës Françesku në Rio, në përvjetorin e tij të parë


Një vit më parë, pikërisht në periudhën 22-29 korrik 2013, Papa Françesku shtegtonte për herë të parë gjatë papnisë në Rio-de-Zhanejro, me rastin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë. Çfarë ka mbetur nga kjo ngjarje, nga ky takim e përqafim i ngrohtë i Atit të Shenjtë me Brazilin e me botën? Të dëgjojmë komentin e kryeipeshkvit të Rios, kardinalit Orani João Tempesta, i cili i kujton kështu ato ditë:
Duke falenderuar Zotin për këtë mundësi. E patëm Atin e Shenjtë në Brazil në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar. Pjesëmarrja e të rinjve ishte e mrekullueshme në ato ditë, ashtu si mikpritja e popullit brazilian, e popullit karioka, për gjithë shtegtarët, që erdhën këtu. Ishte bukur të merrje pjesë në kumtimin e Jezu Krishtit, Zotit tonë, në qendër të kësaj Dite Botërore të Rinisë.
Si e përkujton Rio-de-Zhanejro këtë përvjetor të parë të vizitës së Papës?
Me kremtime, dëshmi, ekspozita fotografike e video, në të gjitha famullitë. Do t’i kushtojmë një ditë, 26 korrikun, kujtimit të Ditës Botërore të Rinisë. Do të kemi një takim të madh, organizuar nga dioqeza, këtu në Rio, për të ndenjur të gjithë së bashku e për ta falenderuar Zotin për DBR-në.
A ka ndryshuar ndopak Rio, pas kësaj DBR-je?
Mund të themi se gjithçka ka ndryshuar, por, natyrisht, shumë gjëra duhen ndryshuar akoma, sidomos përsa i përket çështjeve shoqërore dhe bashkëjetesës paqësore. Por tani, i shohim të rinjtë të marrin pjesë më shumë në jetën kishtare, janë bërë protagonistë, vijnë në takimet tona e frekuentojnë më shumë kishën. Gjithsesi, ka akoma shumë punë për të bërë që të ndryshohet ky qytet.
Papa u fitoi zemrat kariokasve e brazilianët vazhdojnë të luten për Atin e Shenjtë…
Po, sigurisht! Në të gjitha famullitë organizohen takime lutjesh për Papën. Ati i Shenjtë ka lënë këtu një imazh të bukur të vetvetes dhe arriti të krijojë marrëdhënie shumë të ngrohta me popullsinë karioka.








All the contents on this site are copyrighted ©.