2014-07-23 10:51:29

Irak. Imzot Nona: mjaft me fjalë, lypet solidaritet


Gjithnjë e më dramatike gjendja e të krishterëve në Irak, të cilët u detyruan të arratisen për shkak të zgjerimit të dhunshëm të Shtetit islamik. Tremijë vetë kanë braktisur shtëpitë, sipas Unicef-it. Gjendja paraqitet më e rëndë në Mosul, ku xhihadistët kanë zaptuar kishat dhe kuvendet, kanë djegur ipeshkvinë siro-katolike dhe i kanë detyruar të krishterët ose të paguajnë taksën e mbijetesës, ose të ndërrojnë fenë. Papa Françesku e është duke i ndjeku nga afër zhvillimet. Të dielën pati një bisedë telefonike me patriarkun e Antiokisë së siro-katolikëve, Ignatius Youssef III Younan, ndërsa dje priti nuncin apostoli në Irak e Jordani, Imzot Giorgio Lingua.RealAudioMP3
“Tani kemi nevojë për solidaritet konkret dhe guximtar nga ana e të gjithëve”, thanë ipeshkvinjtë irakianë, të cilët u mblodhën dje në Bagdad. Pas mbledhjes së djeshme të ipeshkvinjve, Radio Vatikani foli me kryeipeshkvin kaldeas të Mosulit, Imzot Amel Shamon Nona:
I drejtuam një thirrje tërë botës, duke shpjeguar çfarë po u ndodh të krishterëve në Mosul: një krim kundër njerëzimit. Kemi kërkuar tri gjëra shumë të rëndësishme: të na mbrojnë ne dhe të gjitha pakicat e tjera, të ndihmojnë familjet e arratisura nga Mosuli dhe të gjejnë shtëpi e shkolla për familjet që kanë lënë gjithçka.
Pra, thirrja i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare dhe asaj kombëtare...
Të gjithë njerëzve në Irak dhe në mbarë botën, që të gjejnë një rrugëdalje sidomos për qytetin e Mosulit, ku ka një trashëgimi kishash dhe dorëshkrimesh shumë të rëndësishme për historinë tonë, trashëgimi për mbarë njerëzimin.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së e ka dënuar përndjekjen e të krishterëve. Ndoshta kjo do të ndihmojë?
Me siguri do të na ndihmojë, por kemi nevojë për gjëra reale. Kemi dëgjuar shumë deklarata, shumë thirrje, por njerëzit tanë kanë nevojë për siguri, sepse të krishterët e mbarë Irakut kanë shumë frikë.
Na kanë ardhur lajme për gjestet e shumta të solidaritetit të myslimanëve ndaj të krishterëve, si mikpritja, madje edhe manifestime publike, veçanërisht në Bagdad. Të dielën e shkuar disa myslimanë kanë dalë me shkronjën “N” në petka, me shkronjën që është simbol i përndjekjes nga ana e xhihadistëve...
Në Bagdad ishin të pranishëm rreth 100 vetë, që shprehën solidaritetin me të gjithë të krishterët. Ka pasur edhe gjeste të tjera në qytetin e Mosulit: disa myslimanë kanë i shoqëruar të krishterët, që po linin qytetin, me makinat e tyre. Po, ka gjeste solidariteti, por jo aq shumë.
Sipas jush, çfarë po ndodh? Ka disa gazetarë që flasin edhe për “pastrim fetar”...
Po, është e vërtetë. Është një term i shëmtuar, por real. Ka ndodhur dhe po ndodh kjo gjë. Është pikërisht kështu.
A i keni përmendur fjalët e Papës, në mbledhjen e patriarkun?
Fjalët e Papës na japin shumë forcë. Presim që edhe të gjithë të krishterët e tjerë të tregojnë solidaritet me vepra konkrete. Ka edhe Kisha të tjera që kanë filluar ta tregojnë solidaritetin, por presim më shumë: të gjithë të krishterët, në të gjithë botën, ta tregojnë solidaritetin e të mos kenë frikë të flasin për këtë tragjedi.
Çfarë do t’u thoni njerëzve pas këtij takimi?
Nuk do t’u çojmë fjalë, por vepra. Fjalët nuk kanë asnjë vlerë sot. Rëndësi kanë reagimet tona kundër asaj që ka ndodhur.
Në këtë çast a jeni më të frikësuar apo më të trimëruar?
Të dyja. Ne nuk jemi të dëshpëruar, por ndër besimtarët tanë ka dëshpërim, sepse nga 2003 deri më sot jetojnë në këtë gjendje të tmerrshme përndjekjeje. Prandaj ekzistojnë frika dhe guximi. Nuk duhet të mohojmë se shumë familje të krishtera dhe shumë meshtarë kanë punuar me shumë guxim, duke i mikpritur familjet dhe duke i ndihmuar të shohin drejt të ardhmes me më shumë shpresë.








All the contents on this site are copyrighted ©.