2014-07-22 12:24:50

Përpjekje diplomatike të OKB-së, SHBA-ve dhe Egjiptit për armëpushim në Lindjen e Mesme


Shpresat e botës për të ndaluar konfliktin ndërmjet izraelitëve e palestinezëve janë përqendruar sot në Kajro të Egjiptit. Aty u mblodhën sekretari i shtetit amerikan, Kerry, ai i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon dhe presidenti egjiptian al Sisi. Hipotizohet arritja e armëpushimit në terren, por deri tani, asgjë nuk i ka ndalur operacionet tokësore dhe sulmet ajrore izraelite, e as raketat palestineze. Numri i viktimave palestineze ka arritur në 583 vetë, shumë prej të cilëve civilë, ndërsa ushtarët me yllin e Davidit kanë pësuar 27 humbje.
Nga Kajro bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm e pa kushte në Rripin e Gazës. Nënvizohet se pikat e propozimit egjiptian për paqen mund të diskutohen në bisedimet e mëtejshme, por organizata Hamas i ka hedhur poshtë, duke vënë si parakusht hapjen e kufirit në Gazë dhe lirimin e të burgosurve palestinezë nga Izraeli. Sekretari i shtetit amerikan, John Kerry, deklaroi se armëpushimi është urgjent, por nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet në zonë. Ai lajmëroi se SHBA-të kanë caktuar 43 milion dollarë si ndihmë për krizën e rëndë humanitare në Gazë.








All the contents on this site are copyrighted ©.