2014-07-22 15:13:16

Këshilli i Kishave: alarm për eksodin e të krishterëve nga Mosuli


Këshilli Ekumenik i Kishave u bashkua sot me alarmin e Patriarkut kaldeas Louis Sako për eksodin e të krishterëve nga Mosuli, pas ultimatumit të së premtes nga ana e xhihadistëve të Shtetit Islamik të vetëshpallur të Irakut e të Sirisë (ISIS), të cilët morën në dorë qytetin muajin e kaluar.
Në një deklaratë të publikuar dje, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit, pastori Olav Tveit, kërkon solidaritet e lutje për popullin irakian e sidomos, për pakicat e krishtera e myslimane, që detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.
Të premten e kaluar, Patriarku kaldeas Louis Sako pati sqaruar se familjet e krishtera janë drejtuar për në Kurdistan, duke nënvizuar se “për herë të parë në historinë e Irakut, Mosuli është tani pa të krishterë”. Sipas tij, deri të enjten, në qytet ndodheshin akoma rreth 25 mijë të krishterë. Pastaj, shënimi i shtëpive me shkronjën “N” - që do të thotë “Nazareas”, siç quhen të krishterët në Kuran - si edhe ultimatumi i xhihadistëve, shkaktoi ikjen e tyre në masë.
“Është e trishtueshme të shohësh fundin e pranisë shekullore të krishterë në Mosul”, komenton pastori Tveit, i cili thekson se të gjitha Kishat janë të gatshme për dialog me bashkësitë e tjera etnike dhe fetare, në mënyrë që të mbrohet pluralizmi i shoqërisë irakiane.








All the contents on this site are copyrighted ©.