2014-07-22 19:40:48

Ju kumtojmë lajmin e mirë – shëmbëlltyrat e mbretërisë së Hyjit


Në rubrikën “Ju kumtojmë lajmin e mirë”, vijojmë leximin e Ungjillit sipas Markut, sot kapitulli i katërt, vargjet 26-32. Në këtë fragment Jezusi tregon dy shëmbëlltyra të mbretërisë. Dimë se mbretëria e Hyjit është tema qendrore e predikimit të tij. Fjalët e para që thotë ai vetë në Ungjillin sipas Markut janë këto: “Koha u plotësua, mbretëria e Hyjit është afër, kthehuni dhe besojini Ungjillit” (1,15). Jezusi, pra, ka ardhur për t’u hapur njerëzve derën e mbretërisë.
Nëse e lexojmë me vëmendje Besëlidhjen e Re, vërejmë se Jezusi nuk thotë se e themelon vetë mbretërinë, por na tregon rrugën drejt saj, madje ai vetë paraqitet si rruga e mbretërisë. Ku është mbretëria e Hyjit dhe si është ajo?
Shëmbëlltyrat e këtyre vargjeve nuk na japin përkufizimin e mbretërisë, por vetëm diçka të ngjashme me realitetin e saj, që është tjetërgjë. Mbretëria, pra, nuk përkufizohet. Nuk ka një kushtetutë, me nene që përcaktojnë në mënyrë të padiskutueshme të drejtat dhe detyrat e qytetarëve të saj. Ajo është “si njeriu që hedh farën në tokë; fle, apo rri zgjuar, natën, apo ditën, fara mbin e rritet. Se si, as ai vetë nuk e di” (v.27). Lidhëza krahasimore “si” na lë të kuptojmë se shëmbëlltyra na ndihmon ta kuptojmë e ta kërkojmë mbretërinë me anë të ngjashmërive. Ky kërkim është i përhershëm. Askush nuk mund të thotë se e ka gjetur në mënyrë përfundimtare, prandaj nuk i nevojitet më ta kërkojë. Nëse dikush mëton se e ka gjetur dhe tregon hapësirat e saj, rrezikon ta shkëmbejë mbretërinë me ideologjinë fetare të mbretërisë.
Në vargun 30 vetë Jezusi shtron pyetjen: “Me çfarë mund ta krahasojmë mbretërinë e Hyjit ose me cilën shëmbëlltyrë mund ta përshkruajmë?”. Duke mos lënë përkufizimin e saktë të mbretërisë, Jezusi u ka lënë njerëzve mundësinë e madhe të lirisë, për ta kërkuar atë sipas Shpirtit të Zotit dhe u ka hequr institucioneve fetare të ngritura në emër të tij mundësinë për të abuzuar me pushtetin e mbretërisë. As vetë Kisha e Krishtit nuk është mbretëria e qiellit. Ajo është lajmëtare e mbretërisë dhe shërbëtore e saj, por mbretëria është tjetërgjë. Ajo është “si fara e sinapit, që, kur mbillet në tokë, është më e vogla ndër farërat që gjenden në tokë, por, sapo të mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet dhe vë degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të bëjnë folenë në të” (v. 31-32). Mbretëria e qiellit ka një forcë të veten, siç është forca e farës, e cila nuk buron nga ligji, por nga natyra e Hyjit, që është jeta.








All the contents on this site are copyrighted ©.