2014-07-21 13:59:15

Imzot Andreatta: forca e lutjes mund të bëjë gjithçka


Administratori i Veprës Romake të Shtegtimeve, Imzot Liberio Andreatta u nis sot për në Tokën e Shenjtë, bashkë me 80 shtegtarë nga anë të ndryshme të Italisë. Sot paradite, para se të nisej për Telaviv, ai u shpreh kështu për agjencinë italiane të lajmeve ANSA: “Ky është një çast shumë i vështirë për Tokën e Shenjtë, por unë jam i bindur, siç tha edhe Papa në lutjen e Engjëllit të tënzot, se forca e lutjes mund të bëjë gjithçka”. Imzot Andreatta, për të cilin këto rrethana të ndërlikuara nuk janë aspak të reja, tha më tej: “Në përvojën time 40-vjeçare Intifadat e ndryshme dhe luftrat nuk na kanë shkurajuar kurrë. Është pikërisht ky çasti për të shkuar atje, edhe për faktin se qarkullimi i shtegtimit është i sigurt, i qetë dhe larg vendluftimeveprandaj është i përshtatshëm për dialog, për miqësi dhe për të mundësuar takimin ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve. Shtegtarët janë populli i tretë i kësaj toke, për këtë arsye nuk mund të mungojnë në një çast si ky, kur të dy popujt vuajnë në të njëjtën kohë”.
Në lidhje me gjendjen në Rripin e Gazës administratori i Veprës Romake të Shtegtimeve foli për “luftë absurde. Fatkeqësisht kam parë shumë të tilla. I tillë ishte rasti i Betlehemit, me pushtimin dhe rrethimin e Bazilikës. Mjaft më me luftë! Ata vetë, hebrenjtë, izraelitët, palestinezët duan paqen, por, fatkeqësisht, vuajnë të pafajshmit, për shkak të interesave të mëdha ndërkombëtare apo të ndonjë lloji tjetër. Ne shkojmë atje pikërisht për t’u shprehur solidaritetin atyre që kanë nevojë në këtë çast”.
Imzot Andreatta arriti në Tel Aviv pasdite herët dhe në aeroport e pritën autoritetet e shumta vendore, ndër të cilët disa nëpunës të Ministrisë së Turizmit të Izraelit. Gjatë pasdites, në shenjtëroren e Yllit të Detit, mbi malin Karmel, u kremtua mesha për të kërkuar dhuratën e paqes. Sonte grupi i shtegtarëve do të bujë në Betlehem.








All the contents on this site are copyrighted ©.