2014-07-21 18:33:21

Gazë. Masakra vijon: goditet spitali. Nunci: të ndalohet dhuna


Sot, në Kairo, sekretari i OKB-së, Ban-Ki-moon dhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u përpoqën të arrijnë një marrëveshjeje për ndalimin e zjarrit në Gazë. Ndërsa të mërkurën e ardhshme do të mblidhet Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut. Do t’i kushtohet pikërisht kësaj krize, pa fund. Të nesërmen e ditës më të përgjakshme, që nga fillimi i operacionit izraelit, bilanci i viktimave arriti në 509 të vdekur e më se 3000 të plagosur në frontin palestinez e në 20 të vdekur, ndërmjete të cilëve, 18 ushtarë, në anën izraelite. Sot u vu në shënjestër edhe spitali i Gazës: të paktën 5, të vdekurit. Kryeministri izraelit, Netanijahu pohoi, pa asnjë luhatje: “Do të vijojmë deri në fund të fundit!”.

Në kulmin e këtij qerthulli dhune, të diel, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bëri përsëri thirrje për paqe e dialog. Fjalët e Françeskut i komenton, në mikrofonin tonë, nunci apostolik në Izrael, delegat apostolik në Jeruzalem e Palestinë, imzot Giuseppe Lazzarotto:

Përgjigje: - Fjalët e Atit të Shenjtë patën jehonë të thellë dhe u pasqyruan në shumë nga mjetet zyrtare të komunikimit, si nga mjetet e shtypura, ashtu edhe nga radiot e media të tjera. Të gjithë e përsëritën thirrjen e Atit të Shenjtë për dialog e pajtim. E ne këtë urojmë, sepse situata po bëhet vërtet tragjike: po humbasin shumë jetë njerëzore, e kjo është e papranueshme. Duhet, prandaj, të marrë fund dhuna, sepse kështu krijohen situata të tjera konflikti, hapen plagë të reja, morte të reja e varre të reja. Është urgjente që kush është përgjegjës për këtë situatë, ta kuptojë se nuk ka rrugë tjetër, veç asaj të dialogut e të bisedimeve; palët në konflikt duhen ndihmuar e duhen drejtuar kah tryeza e bisedimeve.

Pyetje: - Lutja në Vatikan me Peres e Abbas dhe thirrjet e shumta të Atit të Shenjtë flasin qartë. I tregojnë botës mbarë se Papa po e ndjek me gjithë vëmendjen e mundshme situatën në Lindjen e Mesme…

Përgjigje: - Lutja në Vatikan, gjesti i Atit të Shenjtë, që i ftoi dy presidentët dhe telefonata, që u bëri ndonjë ditë më parë, shkojnë të gjitha në të njëjtin drejtim. Papa mbolli. Papa po mbjell paqe. Ajo që bëri e që bën, është farë e hedhur. Tani kjo farë e hedhur duhet rrethuar me kujdes, duhet t’i krijohen kushte të rritet e të riprodhohen frytet, që pritet të japë. E kjo domethënë ta kuptosh këtë gjest e ta kthesh në veprime konkrete, ashtu si po kërkon vazhdimisht Papa. Duhen gjeste konkrete. Gjeste guximtare. Papa e nënvizon këtë vazhdimisht: paqja ka nevojë për gjeste të guximshme. Ka ardhur koha që drejtuesit politikë të të gjitha palëve ta kuptojnë e të lëvizin në këtë drejtim.

Pyetje: - Si po e jetojnë izraelitët e palestinezët këtë situatë, pas kaq ditësh nën bomba, raketa, dhunë…

Përgjigje: - Njerëzit janë të lodhur, sepse situata po zgjat prej kohe. Këto fenomene konflikti, natyrisht, krijojnë zhgënjime të tjera e dhunë të re, por pjesa më madhe e njerëzve duan paqe!

Pyetje: - A mundet Kisha në Tokën Shenjte të luajë rol vendimtar për t’i afruar palët në ndeshje…
Përgjigje: - Kisha në Tokën Shenjte bën gjithçka mund të bëjë: lëviz me të gjitha mjetet, që ka në dorë; tani po mendohet edhe për ndonjë nismë të Karitasit, për t’u çuar drejtpërdrejt ndihma të menjëhershme këtyre popullsive, të dëmtuara kaq rëndë e drejtpërdrejt. Po mendohet për gjeste konkrete. Unë dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për të theksuar edhe faktin se shumë shtegtarë po i anulojnë udhëtimet. Kanë frikë të shtegtojnë në Viset Shenjte. Më duhet t’u kujtoj se të vish në Tokën Shenjte është gjest i bukur solidariteti. Ndihmon që të gjithë ta marrin vesh se të krishterë të tjerë, pavarësisht nga gjithçka ndodh, vijojnë të vijnë këtu!







All the contents on this site are copyrighted ©.