2014-07-20 16:38:31

Papa në Engjëllin e Tënzot: dhuna mundet me paqe


Lutje për paqen e thirrje për bashkësitë e krishtera të Mosulit, në Irak, sepse të persekutuara, të vuajtura e të detyruara t’i braktisin shtëpitë e tyre. Por edhe shqetësim për tensionet e tjera në Lindjen e Mesme e në Ukrainë. Këto, mendimet e Papës, shprehur pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, nën saçin e një dielli përvëlues. Reflektimi i Atit të Shenjtë u ndalua sot tek shëmbëlltyra ungjillore e grurit të mirë dhe egjrës.

Papa u lut e lartoi përsëri zërin në një thirrje të përgjëruar për paqen, sepse, theksoi, mora me shqetësim të thellë lajmet, që më vijnë nga bashkësitë e krishtera të Mosulit, në Irak e nga anë të tjera të Lindjes së Mesme. Atje, kujtoi me hidhërim, këta vëllezër që nga zanafilla e krishterimit, jetuan së bashku me qytetarët e tjerë, duke dhënë një kontribut jo të paktë për përparimin e mbarë shoqërisë:
Sot persekutohen. Vëllezërit tanë janë të persekutuar, të dëbuar, duhet të largohen nga strehët e tyre me duar thatë, pa mundur të marrin asgjë me vete, veç lotëve. I siguroj këto familje e këta njerëz për afërsinë time e lutjen time të vazhdueshme. Të dashur vëllezër e motra, aq të përsekutuara: e di sa vuani, e di se po ikni nga strehët, ngarkuar vetëm me barrën e dhimbjes, pa asgjë tjetër mbas shpirtit. Jam me ju në besën e Atij, që fitoi mbi të keqen”.
Mendimi i Papës shkoi edhe në vende të tjera, të ngarkuara me tensione e konflikte, që nuk dinë të pushojnë e, posaçërisht, në Lindjen e Mesme e në Ukrainë:
Hyji i paqes ngjalltë në zemrat e të gjithëve dëshirën për dialog e pajtim. Dhuna nuk mundet me dhunë. Dhuna mundet me paqe”.
Reflektimi ungjillor i Papës pati në qendër të vëmendjes shëmbëlltyrën e grurit të mirë e të egjrës. Skena, kujtoi, është ajo e një are, ku bujku mbjell grurë, ndërsa armiku hedh farë egjre. E rriten njëherësh grurë e egjër. Por kur argatët duan ta shkulin egjrën, i zoti i arës nuk i lejon, për të mos shkulur edhe grurin njëherësh me egjrën. Shëmbëlltyra, shpjegoi Papa, prek problemin e së keqes në botë e vë theksin mbi durimin e Hyjit: fjala ‘egjër’ në hebraishte ka të njëjtën rrënjë me fjalën Shejtan e të kujton pëçarjen. Djalli, vijoi Papa, atë punë ka: t’i përçajë njerëzit, familjet, Kombet, popujt. Është armik dinak, që mbjell farën e së keqes në arën e së mirës, në mënyrë që njerëzit, pastaj, të mos jenë në gjendje ta dallojnë e ta ndajnë të mirën nga e keqja. Por, siguroi Papa, nëse nuk janë në gjendje ta bëjnë njerëzit, e bën Zoti. Zoti di ta ndajë grurin nga egjra, por pa ngut. Ai pret, në kundërshtim me ne, që nxitohemi tepër, kur është fjala për të gjykuar, për t’i veçuar shpejt e shpejt ata që na duken të mirë e për t’i shkulur me gjithë rrënjë, të këqijtë, sipas gjykimit tonë:
“Ndërsa Hyji di të presë. Ai e shikon arën e jetës së çdo njeriu me durim e mëshirë: i shikon shumë më mirë se ne, ndyrësinë e të keqen, por edhe më mirë sheh bumbeskat e së mirës e pret me durim të rriten e të piqen. Hyji është durimtar, pret gjithnjë, na pret, e na pret me zemër në dorë, për të na rrokur, për të na falur!Na fal gjithnjë, nëse shkojmë tek Ai”.
Prej këndej mund të themi se sjellja e të zotit të arës, në shembëlltyrë, është simbol shprese, bazuar mbi sigurinë se e keqja nuk e ka as fjalën e parë e as atë të fundit:
Falë kësaj shprese durimtare të Hyjit, edhe vetë egjra, domethënë zemra e keqe, e ngarkuar me ligësi e mëkate, në fund të fundit mund të bëhet grurë i mirë. Por, kujdes! Durim ungjillor nuk do të thotë qëndrim indiferent ndaj së keqes: e mira dhe e keqja nuk mund të ngatërrohen. Përballë egjrës, që lëshon shtat në botë, dishepulli i Zotit duhet të ketë durimin e Hyjit. Ta ushqejë shpresën me besimin e patundur në fitoren përfundimtare të së mirës, domethënë, të Hyjit”.
Në fund, kur të vijë ora e gjyqit hyjnor, përfundoi Papa, e keqja do të shkulet me rrënjë e do të zhduket, sepse gjykatësi do të jetë Jezusi e të gjithë do të gjykohemi, duke u matur me të njëjtin metër:

Me të njëjtin metër, me të cilin gjykuam: metrin e mëshirës, që patëm për të tjerët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.