2014-07-20 14:57:19

Lorin Maazel në Shqipëri


Të dielën e kaluar ndërroi jetë, në moshën 84 vjeçare, dirigjenti i madh, Lorin Maazel, një nga protagonistët e muzikës ndërkombëtare. I lindur mes tingujsh, mes tingujsh jetoi e vdiq. Vetëm pesë vjeç, luante mrekullisht në violinë. Njëmbëdhjetë vjeç e dëgjoi Arturo Toskanini. I prekur thellë nga gjenialiteti i fëmijës, e vuri në podiumin e NBC (National Broadcasting Corporation) Symphony Orchestra, themeluar prej kompozitorit të madh italian.
Në vitet ’60, kur muzikës shqiptare i merrej fryma nga vendimet e Plenumit IV famëkeq të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, që ia mbyllte portat çdo risie, ai ishte 30 vjeç. Dallohej si dirigjenti më i ri që drejtonte, në Bayreth, tempull i muzikës vagneriane, një nga shfaqjet më të paharrueshme të “Lohegrin”. Bëhej kështu, dirigjenti më i shquar i muzikës së Wagnerit (Lajpcig 1813-Venedik 1883), muzikant e dramaturg i famshëm, më i madhi përfaqësues i romantizmit muzikor gjerman e, ndoshta, edhe botëror. Shkrinte, në një simfoni të harmonishme, vlerat e poezisë e të mitit, efektet e skenës e të muzikës, duke arritur në maja arti të pashkelura deri në atë kohë. “Lohengrin” (Weimar 1815), kulm i muzikës së tij, u luajt në Bayreth (1872-76) teatër ku u shfaqen një pas një kryeveprat muzikore të Vagnerit: “Tristani e Izota”, “Parsifal”, “Unaza e Nibelungen”, “Valkiria”, “Sigfridi”…Të gjitha, të lidhura edhe me emrin e Lorin Maazel.
Duke i dirigjuar këto brilante muzikore, Maazel i bëri të rijetojnë me art të pashoq, tingujt magjiplotë, dalë nga frymëzimi vagnerian. Hyri, kështu, me shkopin e dirigjentit në dorë, në shtëpitë e njerëzve të mbarë botës, përmes ekranit të televizorit.
Por çka e bëri më të pranishëm ndërmjet dashuronjësve të thjeshtë të muzikës, ishte Koncerti i Vitit të Ri që, nga Teatri vjenez i Operas, e thithte mbarë botën në vorbullën e valseve të Shtrausve.
Kur diktatura ua mbyllte derën e kombit kryeveprave më të shquara të muzikës botërore, për ta zëvendësuar valsin me marrshimin fare pa kuptim të njerëzve, që mbanin ‘në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, Lorin Maazel nisi të hynte në shtëpitë shqiptare nga çatitë…
Hynte në maje të gishtave, kur ekranet sterroheshin e dashuronjësit e muzikës shpiknin antenat më të çuditshme në botë, për ta dëgjuar edhe Mjeshtrin nësa drejtonte Koncertet e Vitit të Ri nga Salla e Kariatideve, përhumbur në shkulme lulesh ardhur nga mbarë bota, duke i mbushur shtëpitë e varfra, me luksin e tingujve, krijuar nga dinastia Shtraus.
Hynte! Tingujt e Orkestrës së famshme filarmonike të Vjenës, drejtuar me art prej Tij lodronin mbi qelqet me një gisht verë të thartuar, marrë me racion për Vit të Ri, si simbol feste, në sofrat tona të varfëra.
Hynte! E ne shikonim ëndrra me sy hapur. E në ëndrra, ishim në sallën e Teatrit, në Vjenë. Pikërisht atje ku, në vendin që mendonim se do të ishte yni, do të uleshin, në epokën pas ëndërrimtare, pikërisht ata, që mbanin, dikur, çelësat për t’i mbyllur portën tingujve të orkestrës, drejtuar nga Maazel e edhe vetë bukurisë, në të gjitha shfaqjet e veta. Ndërsa ëndërrimtarët do të mbeteshin përsëri me kelket e verës së thartë në sofër e begatinë ndër ëndrra.
Hynte, si fllad i pranverës së ëndërruar, që nuk po vinte kurrë për një popull të tërë, të zhytur në errësirën e dimrit polar të vetmisë së madhe.
Hynte nga çatitë, prej nga vërshonin në zemrat shqiptare zëra misterioze, të mbinatyrshme, të cilat i ndihmuan të vijojnë rrahjen, në pritje, me sytë ngulur mbi hapësirën e pafund, që vijonte të kaltronte mbi tjegullat e moçme, rënduar nga myshku i kohëve të Franc Jozefit.
Ekrani përçonte nën zë lumej tingujsh, duke na lidhur ne, të ngujuarit, me botën e bukurisë e të shpresës.
Po erdhi edhe dita, që na premtonte kaltërsia mbi shtëpitë tona. E atëhere Lorin Maazel hyri nga portat hapur në dy kapakët për bukurinë.
Hyri! E do të hyjë gjithnjë me serinë e cikleve të plota diskografike të Beethoven, Brahms, Mahler, Sibelius, Rachmaninov e Çajkovskij, realizuar nën drejtimin e shkopit të tij magjik, në një kohë kur ka ende njerëz, që nuk i quajnë zhurmat shurdhuese muzikë.Do të hyjë! Sa herë të trokasë në portat shqiptare Viti i Ri e ekraneve të shtillet suvala e valsit shtrausian, Lorin Maazel do të ulet përsëri në sofrat tona festive me tingujt e An der schonen blauen Donau, Radecki Marš…







All the contents on this site are copyrighted ©.