2014-07-18 18:58:55

Papa, 20 vjet pas atentatit antihebraik në Buenos Aires: terrorizmi është çmenduri


“Terrorizmi është çmenduri. Terrorizmi di vetëm të vrasë, nuk di të ndërtojë, rrënon”: këtë pohon Papa Françesku në një video-mesazh, regjistruar me rastin e 20-vjetorit të atentatit kundër selisë së Amia-s (Assiociación Mutual Istraelita Argentina)në Buenos Aires, më 18 korrik 1994. Atë ditë një furgon i ngarkuar me tritol shpërtheu në parkingun poshtë ndërtesës së zyrave të shoqatës, duke shkaktuar vdekjen e 85 personave dhe plagosjen e 200 të tjerëve. Video-mesazhi u regjistrua me një telefon celular nga Klaudio Epelman, drejtor i Kongresit hebraik latinoamerikan i cili, pak ditë më parë, ishte për vizitë tek Papa.

“20-vjet pas tragjedisë së Amias, pohon Papa Françesku, dëshiroj t’i shpreh afërsinë time bashkësisë izraelite argjentinase dhe të gjithë familjarëve të viktimave, si hebreje, ashtu edhe të krishtera. Duke folur për kaq shumë jetë të këputura, kaq shumë shpresa të shkatërruara, kaq shumë gërmadha, që la pas atentati, Papa kujton se “Buenos Aires është qytet që ka nevojë të qajë, sepse nuk ka derdhur akoma aq lot, sa duhet. E kjo, ngaqë e kemi tepër të lehtë t’i arkivojmë gjërat, sepse nuk duam t’i kujtojmë shpesh historitë, vuajtjet, ngjarjet, që mund të ishin të bukura, e nuk qenë!”.
Na kushton shumë, nënvizon Papa Françesku, të rikthehemi në rrugën e drejtësisë, për të përballuar dëmet, që i shkaktoi kjo tragjedi shoqërisë. Prej këndej, dëshira për drejtësi, e shprehur nga Papa dhe thirrja: “Të dalë në shesh e drejta”.
Mesazhi përfundon me lutjen e Françeskut për shpirtin e të vdekurve dhe me bekimin për familjet e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.