2014-07-18 14:12:07

Kardinali Toran për fundin e Ramazanit: të ndërtojmë së bashku ura paqeje


“Të krishterë e myslimanë janë vëllezër e motra, pjesëtarë të së njëjtës familje njerëzore”. Këtë nënvizon kardinali Jean-Louis Tauran, kryetar i dikasterit papnor për Dialogun Ndërfetar, në mesazhin me rastin e ‘Id al-Fitr, në përfundim të muajit të Ramazanit. Hirësia e Tij nënvizon se të krishterë e myslimanë janë të thirrur të luten e të veprojnë për pajtimin e paqen.
“Të punojmë së bashku për të ndërtuar urat e paqes e për të përhapur frymën e pajtimit, posaçërisht në zonat ku myslimanë e të krishterë provojnë tmerret e luftës”, shkruhet në mesazhin e kardinalit Tauran, i cili kujton, në vijim, rëndësinë e dialogut të frytshëm, të bazuar mbi respektin reciprok. Miqësia jonë, uron prelati i lartë, na frymëzoftë të bashkëpunojmë gjithnjë për t’i përballuar sfidat e panumërta të kohëve tona me urti e maturi.
Të frymëzuar nga vlerat e përbashkëta e të forcuar nga ndjenjat e vëllazërisë së vërtetë, shton, jemi të thirrur të punojmë së bashku për drejtësi, paqe e respektim të të drejtave e të dinjitetit të çdo njeriu e, në mënyrë të posaçme, të më nevojtarëve. Në këtë mënyrë, nënvizon, do të dëshmojmë se fetë mund të jenë burim harmonie, në dobi të mbarë shoqërisë.
Të lutemi, vijon kardinali Tauran, që pajtimi, drejtësia, paqja e zhvillimi të mbeten për ne detyra të dorës së parë, për mirëqenien e mbarë familjes njerëzore.Me Papën Françesku, përfundon mesazhi, ju urojmë përzemërisht festën: “Gëzuar! Jetë të begatë e paqe!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.