2014-07-16 14:27:35

gëzimi


Lajmit mbi lirimin e motrave Atur e Miskinta, të cilin e dhamë edhe në emisionin e kaluar, i shtohet njoftimi se rregulltaret kaldease të Kongregatës së Bijave të së Papërlyerës, rrëmbyer më 28 qershorin e kaluar, në Irak, nga milicët e Shtetit Islamik, janë krejt mirë me shëndet. Ato e edhe tre jetimët e krishterë të Shtëpisë familje, që drejtojnë motrat në Mosul. Njoftimin e jep patriarku i Babilonisë së kaldejve, Louis Raphael I Sako. Ndërkaq në terren ushtria e rregullt ka nisur një sulm të ri për rimarrjen e qytetit Tikrit, në dorë të rebelëve prej më se një muaji, ndërsa një sërë atentatesh vijojnë të trandin Bagdadin.
Në mikrofonin tonë, Fortlumturia e Tij, Sako:RealAudioMP3

Përgjigje: - Pati diskutime me xhihadistët, gati-gati një hetim. Gjithsesi duhet thënë se i trajtuan mirë e, faleminderës Zotit, i respektuan: nuk i prekën as fizikisht e as moralisht. Falë disa ndërmjetësve – mes të cilëve unë e ipeshkvi i Mosulit – arritëm t’i takojmë ata, disa imamë e edhe Kryemyftiun… E u liruan, gjë që na gëzon pa masë!

Pyetje: - Në vend nisi, që në fillim të qershorit të kaluar, sulmi islamist; u krijua Kalifati në zonat ndërmjet Sirisë e Irakut. Si ta lexojmë politikisht këtë, që po ndodh këto ditë?

Përgjigje: - Sipas meje, problemi duhet kërkuar tek Islami politik. Projekti për krijimin e një shteti arab të bashkuar dështoi; dështoi edhe Islami politik i Vëllezërve Myslimanë… Këta xhihadistë mendojnë se mund të krijojnë një shtet mysliman, e pikërisht një kalifat, siç ishte në zanafillë të islamit, në shekullin VII. Por unë mendoj se një shtet i tillë nuk mund të mbahet në këmbë, e megjithatë, ata po provojnë ta ngrejnë, gjë që sot nuk është aspak e lehtë. Askush nuk mund ta pranojë këtë sot. Edhe myslimanët, ndërmjet tyre, shprehin dyshimin mbi këtë mundësi. Edhe atyre u duhet një Islam i çiltër, përndryshe nuk mund të kenë ardhmëri.

Pyetje: - Ndërkaq vijojnë sulmet: i fundit, ai i Tikritit, ku ushtria, me sa duket, ka shtënë në dorë disa zyra qeveritare…

Përgjigje: - Jo, qeveria nuk e kontrollon më këtë trekëndësh sunnit (Tikrit, Mosul, Kirkuk). Nganjëherë bombardon e sulmon këtu ose atje, sepse xhihadistët janë shumë të pranishëm, Po, këta njerëz kanë një ideologji tejet të fortë e, prej këndej, prej tyre mund të pritet gjithçka. Ndërsa ushtria nuk është profesioniste, as e përgatitur si duhet. Por gjithsesi po bën përpjekjet e mundshme për ta shtënë përsëri në dorë këtë zonë, ndonëse, ndoshta, tepër vonë.

Pyetje: - Dje, në një dokument të Amnesty International, denocoheshin vrasjet, rrëmbimet, torturat, ushtruar nga ana e milicëve të Shtetit Islamik. Natyrisht këto janë akte për t’u dënuar ashpër…

Përgjigje: - Po! Një dënim kaq i fuqishëm është me vend, por mendoj se duhet bërë shumë më tepër. Na duhet një qeveri irakiane kombëtare. Na duhet dhe zgjidhja politike e, sidomos, pajtimi kombëtar. Sot paradite ishte seanca e Parlamentit, Seksioni i tretë, e unë u drejtova të gjithëve një letër, për t’u thënë: “Mjaft! Shpëtojeni Irakun! Mund ta shpëtoni vetëm të bashkuar! Vetëm uniteti mund të krijojë paqe e stabilitet!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.