2014-07-15 14:32:56

Sudan. Të krishterët janë qytetarë të klasit të dytë – pohon një meshtar


Gjendja juridike e të krishterëve në Sudan është “me të vërtetë shqetësuese”, pohoi kryeipeshkvi i dioqezës Tambura-Jambio në Sudanin Jugor, Imzot Eduardo Hiiboro Kusala, gjatë një vizite të kohëve të fundit në Evropë. Në kushtetutë janë përcaktuar të drejtat e barabarta të të gjithë sudanezëve, por në të vërtetë të krishterët shikohen dhe trajtohen si qytetarë të klasit të dytë, siç e vërtetojnë edhe dëshmitë që vijnë nga shteti më i ri i kontinentit afrikan.
Të krishterët sudanezë përjetojnë një “kundërshti”, tregon një meshtar, i cili kërkon të mbesë anonim, për arsye sigurie. Nëse nga njëra anë e dëshmojnë fenë hapur, duke marrë pjesë rregullisht në kremtimet liturgjike, nga ana tjetër vuajnë për shkak të disa kufizimeve të të drejtave, siç është pamundësia për të zënë një vend punë në zyrat e shtetit. Shpesh herë vështrohen si “të huaj” dhe “kanë frikë”. Shembulli më i qartë është ai i Meriam Jahja Ibrahim, vajza e krishterë që u dënua me vdekje për apostazi e pastaj u lirua nga burgu. Sipas njoftimeve të fundit, Meriam gjendet ende në ambasadën amerikane në Khartum, në pritje të dokumenteve që do t’i mundësojnë daljen jashtë shtetit.
Rasti Meriam, thotë rregulltari i kontaktuar nga Radio Vatikani, mund të kthehet në “rastin e volitshëm për mbrojtjen e të drejtave të të krishterëve si qytetarë sudanezë”. Sipas të njëjtit meshtar, “edhe gjendja e mijëra refugjatëve sudanezojugorë, të cilët janë kthyer në Sudanin Verior për shkak të luftës civile, është tejet kritike. Kushtet e jetesës në kampet e refugjatëve, thotë meshtari sudanez, janë bërë edhe më të vështira në stinën e shirave.








All the contents on this site are copyrighted ©.