2014-07-15 11:48:21

Meksikë. Kardinali Parolin për emigrimin: të zhvillojmë kulturën e mikpritjes


“Zgjidhja e problemit të emigracionit kalon përmes kthimit kulturor e shoqëror”, i cili mundëson kalimin nga “kultura e mbylljes” tek “kultura e mikpritjes dhe e takimit”. Kështu u shpreh sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në fjalën e hapjes së Seminarit mbi emigrimin në Meksikë. Takimi u hap dje, në Qytetin e Meksikos. Prelati i lartë gjendet në Meksikë me ftesë të presidentit Penja Nieto. Vizita ka rëndësi të veçantë, sepse përkon me krizën humanitare e cila shtyn mijëra fëmijë të marrin rrugët e emigrimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zhvillimi i të drejtave të njeriut nuk ka qenë një detyrë e lehtë për asnjë shoqëri demokratike të përparuar, as për popullin meksikan, në historinë e dyqind vjetëve të fundit, por duhet pranuar se në kohët e vona janë hedhur “hapa të rëndësishëm”: puna e pandërprerë për dinjitetin e përbashkët të të gjithëve ka bërë të mundur përmirësimin “në rrafshin e sotëm normativ meksikan”. Në këtë pikë e vuri theksin Sekretari i Shtetit, kardinali Parolin, në Seminarin mbi emigrimin në Meksikë. Kardinali u ndalua tek roli kryesor i krishtërimit në njohjen dinjitetit dhe të barazisë së të gjitha qenieve njerëzore, krijuar në shëmbëllimin e Hyjit. Dhe nënvizoi se kriteri i vetëm absolutisht i vlefshëm për të vlerësuar nëse një shoqëri politike i përgjigjet thirrjes për t’i shërbyer të mirës së përbashkët, është “cilësia e shërbimit ndaj njerëzve”, veçanërisht “ndaj më të varfërve dhe më të ligështve”.
Pastaj kardinali Parolin foli për aspektet kryesore të temës së emigrimit dhe përmendi mesazhin e Papës Françesku për Ditën Botërore të Emigrantëve dhe të Refugjatëve, ku Papa konstaton se “rrymat emigruese bashkëkohore përbëjnë lëvizjen më të gjerë të njerëzve” të të gjitha kohrave.
Sipas kardinalit, shoqëritë që përpiqen t’i integrojnë emigrantët japin mesazhi e qartë se janë shoqëri të qëndrueshme. “Për këtë arsye – pohon – ju ftoj të përballeni me sfidën e një shoqërie më të drejtë e solidare, që e njeh vlerën e lëvizshmërisë së njerëzve” dhe nuk mbyllet në vetvete, por është e gatshme të mikpresë. Mund ta ndryshojmë të ardhmen, vijoi më tej sekretari i shtetit, nëse jemi të aftë “t’u shërbejmë njerëzve konkretë”, atyre me të cilët kemi punë çdo ditë.
Kardinali Parolin theksoi se Kisha në Meksikë ka ndërmarrë shumë nisma konkrete për t’i mikpritur emigrantët dhe nënvizoi se kur një vend jo vetëm e toleron Kishën, por, duke ruajtur laicitetin e shëndoshë, cakton mjetet juridike për ta mbrojtur dhe për të ndihmuar veprimin e saj shoqëror në dobi të së mirës së përbashkët, garanton elementin kyç për zhvillimin: “mirëbesimin”. Fenomeni i emigrimit nuk mund të zgjidhet vetëm me mjete ligjore, sado të mira të jenë, dhe aq më pak me anë të forcave të sigurisë. Zgjidhja e problemit të emigrimit – nënvizon kardinali – kalon përmes kthimit kulturor e shoqëror”, i cili mundëson kalimin nga “kultura e mbylljes” tek “kultura e mikpritjes dhe e takimit”. Prandaj është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërmjet njerëzve, ndërmjet organizatave të shoqërive qytetare, ndërmjet institucioneve dhe shteteve. “Në këtë kontekst – vijoi më tej – Kisha ka qenë e do të jetë gjithmonë një bashkëpunëtore besnike”. Pastaj u fol për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë shpërndarë të dhënat mbi rrymat emigruese të fëmijëve që kalojnë kufirin pa qenë të shoqëruar nga të rriturit. Numri i tyre rritet gjithnjë e më shumë. “Është urgjente – tha kardinali – t’i mbrojmë e t’i ndihmojmë” sepse janë të pambrojtur. Pastaj, ftesa për të bërë të mundur çfarë duket e pamundur në rrafshin e ndihmës për emigrantët.








All the contents on this site are copyrighted ©.