Jemi në kapitullin e katërt të Ungjillit sipas Markut, vargjet 21-25. Jezusi pohon se drita
nuk ndizet për t’u fshehur, por për t’u vënë mbi pishtar, dhe pohon se asgjë nuk do
të ngelë pa dalë në dritë. Drita është njëri nga elementet për të cilët flitet
shumë shpesh në Shkrimin e Shentjë. Mjafton të mendojmë se, sipas librit të Zanafillës,
me dritën fillon vetë krijimi i botës: “Hyji tha: le të bëhet drita!” (Zan 1,3). Njeriu
biblik është gjithmonë në kërkim të dritës dhe e di se atë e gjen tek burimi i saj
i vetëm, prandaj psalmisti i drejtohet Hyjit: “Llambë për hapat e mi është fjala jote,
dritë për udhën time” (Ps 118). Ky pohim i Psalmit 118 na ndihmon të kuptojmë se drita
për të cilën po flasim nuk është vetëm drita materiale, por ajo që vjen prej fjalës
dhe u jep kuptim gjërave të pakuptueshme. Janë pikërisht gjërat e pakuptueshme me
arsyen njerëzore ato për të cilat flet Jezusi, kur thotë se “nuk ka asgjë të mbuluar,
që nuk do të ndriçohet, nuk ka asgjë të fshehur, që nuk do të dalë në dritë” (Mk 4,22).
Me gjërat e mbuluara dhe të fshehura nuk duhet të kuptojmë në radhë të parë (apo
vetëm) gjërat që të tjerët i kanë bërë dhe ne nuk i dimë. Drita për të cilën flet
Jezusi nuk ndizet për të shuar kureshtjen tonë për punët e të tjerëve. Në atë dritë
duhet të lexojmë jetën tonë, me dëshirën për të kuptuar çfarë nuk arrijmë të kuptojmë
pa të. Një vështrim gjithëpërfshirës mbi tërë ungjijtë na lejon të kuptojmë se Krishti
është drita e ndezur për të ndenjur jo nën magjë apo nën shtrat, por mbi pishtar.
Në Ungjillin sipas Gjonit, ai thotë: “Unë jam drita e botës; kush vjen pas meje, nuk
do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjn 8,12). Nxënësi i vërtetë
i Jezusit është ai që e vendos Mësuesin në qendër, pa e fshehur skutave të jetës,
edhe pse ajo nganjëherë mund të mos jetë sipas vullnetit të tij. Dhe nëse e vendos
Mësuesin në qendër, edhe nxënësi vetë bëhet dritë, prej Mësuesit dhe si Mësuesi: “Ju
jeni drita e botës” (Mt 5,13) u thotë Jezusi atyre që kanë vendosur ta ndjekin. Errësira
e botës mund t’i trembë, nganjëherë nxënësit e mësuesit hyjnor, sidomos kur shfaqet
më dhunshëm misteri i së keqes, por Jezusi është drita e botës pikërisht në mes të
misterit të së keqes: në kryq. Ai është dritë jo vetëm pse është kryqëzuar, por sepse
është i kryqëzuar i ringjallur, që na jep të gjithëve dritën e jetës.