2014-07-14 15:12:58

Pedofilia, mafia dhe edukimi: bisedë e Papës me Skalfarin


Pedofilia, mafia, por edhe edukimi: këto janë temat, që trajtohen në bisedën e Papës Françesku me themeluesin e gazetës italiane “La Repubblica”, Eugenio Scalfari. Në artikullin e botuar dje, Ati i Shenjtë shpjegon se nuk është aspak dakord me ata, që mendojnë se përqindja tejet e vogël e priftërinjve pedofilë duhet të na ngushëllojë. Personalisht e konsideron një krim të rëndë, së bashku me heshtjen e të gjithë atyre, që nuk i denoncojnë faktet, si kur i fshehin ato, ashtu edhe kur marrin masa vetëm brenda përbrenda Kishës. Papa siguron se do të vazhdojë të tregohet i rreptë kundër asaj, që e quan “gërbula e pedofilisë”.
Tema tjetër, që trajtohet nga gazeta, ka të bëjë me mafien. Ati i Shenjtë thekson se do ta denoncojë shpesh e herë pas here këtë fenomen. Do të dëshironte të dinte më shumë për mënyrën si e mendojnë fenë mafiozët e për formën e fesë, që mendojnë ata se mund të jetojnë.
Nuk mungojnë reflektime të tjera të Françeskut, si ai mbi edukimin. Ati i Shenjtë shpreh trishtim për faktin se edukimi i fëmijëve në botën e sotme bëhet jashtë shtëpive. Prindërit kanë gjithnjë e më shumë punë e impenjime, pa arritur t’i shoqërojnë fëmijët me dashuri drejt së mirës, duke i inkurajuar e nxitur të formojnë një personalitet të pavarur, në marrëdhënie me të tjerët. Kjo detyrë fillon duke treguar përrallat e jetës, nënvizon Papa Bergolio, e më pas, me kalimin e kohës, vetë jetën, realitetin. Është si të kultivosh një kopsht me lule, thekson, duke e ruajtur nga koha e keqe, duke i hequr parazitët.
Interesante, edhe përgjigjja e Papës Françesku për pyetjen e Skalfarit, i cili i shtron problemin e atyre, që pendohen në fund të jetës nga frika e botës së përtejme. Ati i Shenjtë kujton se nuk mund t’i fshihesh Zotit e se Ai i Lumi di gjithçka. Por ne vetë nuk mund të gjykojmë nëse pendimi është i sinqertë, është Hyji që gjykon. E kjo vlen, shpjegon Papa, edhe për ata, që bëjnë keq, pa e ditur, duke menduar se po bëjnë mirë. Ligjin e Zotit e vendos vetë Hyji e jo krijesat e tij, ngul këmbë Ati i Shenjtë. Ne jemi në dijeni për të vetëm sepse na e ka treguar Krishti, i cili na ka sqaruar se Ati Qiellor i njeh të gjitha krijesat e veta e asgjë nuk përbën mister për Të. Mbi temën e së keqes dhe të ndërgjegjes, Papa Françesku rekomandon leximin e Ungjillit dhe të 7 Librave të Urtisë në Besëlidhjen e Vjetër. Këto marrëdhënie janë çështje qendrore për teologjinë, por edhe për kulturën moderne, kujton Ati i Shenjtë. E nënvizon se këto ishin tema qendrore të Koncilit II të Vatikanit, aktual edhe sot.








All the contents on this site are copyrighted ©.