2014-07-14 15:13:13

Kupa e Botës: imzot Genshvajn tregon si është parë finalja e Marakanasë në Vatikan


Mëse një miliard vetë u ndalën dje për 120 minuta për të parë ndeshjen finale të Kampionatit Botëror të Futbollit, fituar 1-0 nga Gjermania, e cila luante kundër Argjentinës, në stadiumin Marakanà të Rio-de-Zhanejros. Ndeshja u quajt me shaka “finalja e dy Papëve”, pasi kombëtarja argjentinase pati si përfaqësues të nivelit të lartë Papën Françesku, ndërsa ajo gjermane, Benediktin XVI. …pavarësisht se asnjëri nga të dy nuk e pa lojën, siç tregon në mikrofonin tonë prefekti i Shtëpisë Papnore, imzot Georg Genshvajn. Gjithsesi, rrjetet shoqërore e shfrytëzuan këtë përkim të rastësishëm ndërmjet kombëtareve që luanin dhe kombësive të papëve, me lloj-lloj fotografish e komentesh, që bënë xhiron e botës. Për to e për rolin, që mund të luajë futbolli në takimin ndërmjet kombeve e kulturave të ndryshme, të dëgjojmë imzot Genshvajn, i cili – po e kujtojmë – është edhe sekretari i veçantë i Papës së nderit:RealAudioMP3
Mbështeta si tifoz, skuadrën time të zemrës, që është Gjermania. E pashë ndeshjen në shtëpi, së bashku me laiket “Memores Domini”, që ishin, edhe ato, tifoze të Gjermanisë, prandaj në fund, ishim të gjithë të kënaqur, megjithëse më vjen keq për argjentinasit. Luajtën mirë, por më duket se Gjermania e meritoi fitoren.
Shumë njerëzve u ka shkuar në mend pyetja: Po Papa Benedikti a e pa ndeshjen? A e mori vesh rezultatin?
E ftova ta shihnim bashkë ndeshjen, por ai falenderoi dhe preferoi të shkojë për të fjetur. Sigurisht, sot në mëngjes e informova, por ai më pa që në fytyrë, e cila rrezatonte një mesazh të qartë. Pastaj i thashë si shkoi ndeshja e i tregova rezultatin.
Natyrisht, u gëzua, apo jo?
Po e jo, sepse në skuadër ka disa bavarezë e nga njëra anë, kjo ia ngroh zemrën shumë, por nga ana tjetër tha: “Shpresojmë që argjentinasit ta marrin veten shpejt”. Po një me zero nuk është ndonjë rezultat përulës.
E kur flasim për Argjentinën, mendimi shkon tek Papa Françesku. A keni folur me Atin e Shenjtë për ndeshjen? Mund të na thoni diçka?
Akoma jo. I bëra “ngushëllimet” e mia më të ndjera sekretarit të tij, don Fabianit, e ai m’u përgjigj shkurt, qartë, por në mënyrë bindëse e më bëri urimet për fitoren e skuadrës sonë.
Në rrjetet shoqërore xhironte fotografia e dy papëve, që luteshin, secili për skuadrën e vet…
E pashë edhe unë e duhet të them se kam qeshur me lot, pasi shihet se futbolli ka forcë për të bashkuar. E pastaj, dukej qartë që ishte shaka, që gjërat thuheshin me ironi, por gjithnjë me simpati e sinqeritet… Mendoj se ky rast u kujtoi njerëzve se marrëdhëniet ndërmjet dy papëve janë shumë të mira.
Në tweet-in para ndeshjes, por edhe në një mesazh të vetin, Papa Françesku nënvizon se Kampionati Botëror i Futbollit e sporti, në përgjithësi, janë raste takimi…
Papa Françesku flet shpesh për takimin – kjo është fjalë kyçe për të – e sporti, sidomos futbolli, është rast i volitshëm për t’u takuar me të tjerët me sportivitet e sinqeritet. Ka rëndësi takimi, si i tillë. Është e qartë, vlen edhe rezultati, por ka më tepër rëndësi takimi. E nëse për të dyja skuadrat, takimi është pozitiv, mendoj se rrezaton forcë të madhe jo vetëm për 22 lojtarët, por edhe për njerëz të tjerë, edhe jashtë dy vendeve përfaqësuese, në të gjithë botën.
Finalja e Kupës së Botës, fatkeqësisht, përkoi me shkallëzimin e konfliktit izraelito-palestinez. Këshilli Papnor për Kulturën propozoi një minut heshtje në Kampionat, nismën “Pause for Peace” (Pauzë për paqen)…
E ndjek me shqetësim të madh gjendjen në Tokën Shenjte. Papa e përmendi edhe në Engjëllin e Tënzot se lutja është shumë e rëndësishme në këto raste. Lutja me dy presidentët, atë izraelit e atë palestinez, si edhe me Patriarkun Ekumenik, para një muaji, është sinjal e ky sinjal duhet e do të japë fryte të mira, megjithëse aktualisht, gjendja është shumë shqetësuese.
Edhe sporti mund të ndihmojë, apo jo? Kemi parë disa herë se sporti i ka afruar skuadrat e dy kombeve në luftë…
Po. Jam i bindur, madje shumë i bindur, për faktin se politika nuk është në gjendje t’i bëjë të takohen dy skuadra që, politikisht, janë kundër njëra-tjetrës, por sporti, futbolli, mund ta bëjë këtë. Mendoj se kjo është një mundësi, që duhet përforcuar e duhet vlerësuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.