2014-07-14 15:13:31

Kardinali Parolin në Meksikë për temën e emigrimit


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, mbërriti dje në Meksikë, për të diskutuar mbi çështjet lidhur me fenomenin e emigrimit. Objektivi, sipas njoftimit zyrtar të qeverisë meksikane, është ai i hartimit të një programi të përbashkët, ndërmjet qeverisë dhe Selisë së Shenjtë, mbi këtë argument dramatik.
Kardinali Parolin u prit nga ministri i jashtëm, Jose Antonio Meade, dhe mori pjesë në një darkë pune, në të cilën, përveç autoriteteve federale e ligjvënëse, ishin të pranishëm edhe ministrat e jashtëm të Hondurasit, Guatemalës dhe El Salvadorit. Sot, takimi i sekretarit të Shtetit të Vatikanit me presidentin meksikan Enrike Penja Nieto dhe pjesëmarrja në një mbledhje për emigrimin dhe të drejtat e njeriut.
Presitenti Penja Nieto e kishte ftuar më parë kardinalin Parolin, kur vizitoi Vatikanin, qershorin e shkuar. Vizita ka rëndësi të veçantë, sepse përkon me krizën humanitare, që ka shtyrë mijëra fëmijë emigrantë të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara. Të gjitha shtetet e Amerikës Qendrore janë të përfshira në këtë eksod dhe Kisha Katolike është në pararojë, sepse gati të gjitha bujtinat për emigrantët në Meksikë i drejtojnë katolikët.








All the contents on this site are copyrighted ©.