2014-07-13 15:09:28

Imzot Celli i paraqet Françeskut “The Pope App”


Kryetari i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, imzot Claudio Maria Celli, i shoqëruar nga bashkëpunëtori i tij Thaddeus Jones, i paraqiti javën e kaluar Papës Françesku “The Pope App”, një aplikacion për smartophone dhe tablet, ku përmblidhen të gjitha mediat e Vatikanit. Ta dëgjojmë atë vetë, në mikrofonin tonë:
Kishim shumë dëshirë ta njihnim Papën me këtë nismë. “The Pope App” ekzistonte që më parë, natyrisht, e jemi shumë të kënaqur sepse rreth 400 mijë vetë e kanë tashmë në celularët e tyre këtë aplikim. Ai i jep mundësi Papës që , me anë të mesazheve të tij, t’u qëndrojë pranë burrave e grave të kohës së sotme, që mund të jenë edhe larg Kishës, ose u përkasin feve të tjera, por shohin tek Ati i Shenjtë një mik, që u thotë të vërtetën, që u flet zemrave, që e kupton lodhjen e vështirësitë e jetës së tyre, që u thotë një fjalë dashurie.
Por çfarë ofron “The Pope App”? Të dëgjojmë Thaddeus Jones:
Aplikimi bashkon përmbajtjen, mediat dhe lajmet që jepen çdo ditë nga Selia e Shenjtë, nga Vatikani. Në të gjenden Radio Vatikani, Qendra Televizive e Vatikanit, Agjencia Fides, gazeta “L’Osservatore Romano”, pjesërisht Salla e Shtypit e Vatikanit dhe tekstet e fundit të publikuar në faqen e internetit vatican.va. Është aplikim multimedial: ka video, streaming dhe fotografi. Plotëson kërkesën e njerëzve për t’i pasur të gjitha lajmet përmes celularit apo tablet-it.








All the contents on this site are copyrighted ©.