2014-07-13 15:09:58

Impenjim i 200 liderëve fetarë afrikanë për zhvillimin e kontinentit


Liderët fetarë afrikanë impenjohen të vënë në jetë agjendën e zhvillimit pas 2015-tës, gjatë një takimi në Kampala, kryeqytet i Ugandës. Sipas një komunikate dhënë agjencisë Fides, rreth 200 prijës të konfesioneve të ndryshme fetare, të pranishme në kontinent (të krishterë, myslimanë, fe tradicionale afrikane, Baha’i e të tjerë) u zotuan: të promovojnë paqen e pajtimin ndër vendet në luftë; të nxisin dialogun ndërmjet feve dhe bashkëpunimin, edhe për të mos lejuar që feja të shkaktojë tensione e dhunë; të krijojnë mekanizma për t’i përfshirë në zhvillimin afrikan njerëzit më të pafat, si për shembull, të prekurit nga sëmundja e Sidës.
Agjenda e zhvillimit pas 2015-tës është program i hartuar nga OKB-ja, në vijim të atij, që nisi në vitin 2000, për të arritur, më 2015, Objektivat e zhvillimit të Mijëvjeçarit, në fushën e shëndetësisë, të edukimit e të zhvillimit ekonomik në vendet më të varfra të botës.
Tetë objektivat janë: çrrënjosja e varfërisë së tepruar dhe e urisë; arsimi fillor universal, promovimi i barazisë së sekseve dhe i pavarësisë së grave; reduktimi i vdekjeve foshnjore; përmirësimi i shëndetit të nënës; lufta kundër Sidës, malaries dhe sëmundjeve të tjera; mbrojtja e ambientit; partneriteti botëror për zhvillim.









All the contents on this site are copyrighted ©.