2014-07-11 16:11:47

Nunci në Irak: duhet një mrekulli për të shmangur më të keqen


Gjithnjë më shqetësuese situata në Irak, pas pushtimit të veriut të vendit nga xhihadistët sunnitë të Shtetit të vetëshpallur Islamik. Qeveria irakiane njoftoi SHBA-të se ekstremistët kanë vjedhur 40 kilogram uran nga Universiteti i Mosulit, por Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e përjashton mundësinë që materiali të bëhet kërcënues. Ndërkaq vijon alarmi humanitar për të krishterët irakianë, shumë prej të cilëve kanë ikur nga Mosuli, pas sulmit të ekstremistëve. Por si paraqitet situata në vend? Na flet për të, në mikrofonin tonë, imzot Giorgio Lingua, nunc apostolik në Jordani e Irak, me telefon, nga Bagdadi: RealAudioMP3
Përgjigje: - Shqetësimi kryesor në këtë çast është të furnizohen me ujë njerëzit e ikur nga Mosuli. E di se po hapin puse, po kjo nuk është gjë, që mund të bëhet menjëherë. Problem tjetër është mungesa e elektricitetit edhe në fshatrat e banuara nga të krishterët. Më parë furnizoheshin nga Mosuli, po tani ua ka prerë këtë shërbim.

Pyetje: - Cili është rreziku më i madh për bashkësitë e krishtera?

Përgjigje: - Nga pikëpamja psikologjike po jetojnë në frikë e pasiguri. Është e qartë se shumë prej tyre kërkojnë një portë të hapur, për të dalë nga vendi. Në këndvështrimin humanitar është bërë shumë, edhe në mënyrë të lavdërueshme, për strehimin e myslimanëve, duke hapur shkollat e shtëpitë për t’u krijuar të shpërngulurve mundësinë të gjejnë një vend, sado të përkohshëm.

Pyetje: - Cilat janë zonat më të rrezikuara e ato më të sigurtat për të krishterët në Irak?

Përgjigje: - Zona më në rrezik është sigurisht ajo kufitare, e kontrolluar nga Shteti Islamik, sepse nuk dihet deri ku do të shkojë e ku do të ndalohet. Zonat më të sigurta janë ato, që kontrollohen nga forcat kurde.

Pyetje: - Ju, me ç’sy e shikoni të ardhmen?

Përgjigje: - Është vërtet e vështirë të thuhet. Sipas meje, varet shumë nga sa do t’ia dalë mbanë qeveria qëndrore ta përballojë situatën në mënyrë të drejtë, me bashkëpunimin e të gjitha përfaqësive të vendit. Duhet një parlament, që të funksionojë; një qeveri, që të funksionojë: vetëm atëhere mund të shihet ç’ duhet bërë. Besoj se është urgjente që edhe shoqëria civile të fitojë vetëdijen se nuk mund të rrish duarkryq e të bësh sehir, duke pritur ç’do të bëjnë politikanët, sepse poltikanët shpesh veprojnë sipas interesave të veta, ndërsa shoqëria civile mund të jetë më e orientuar të punojë për të mirën e përbashkët, domethënë, të vetën.

Pyetje: - E si mund të ndihmojë shoqëria civile në përballimin e këtij pushtimi të mirëfilltë?

Përgjigje: - Nëse ekziston vullneti për t’i përfshirë të gjithë në projektin e Irakut të ri, atëherë edhe pushtuesit do ta humbasin mbështetjen shoqërore; hynë kështu, lehtësisht, sepse kishte shumë pakënaqësi, por në atë çast që të gjitha forcat do të ndjehen të përfaqësuara në nivel qëndror, atëhere pushtuesit do ta humbasin mbështetjen lokale.

Pyetje: - Ç’ thirrje dëshironi të bëni, si nunc në Irak

Përgjigje: - Besoj se në këtë çast duhet të lutemi: kemi nevojë për një mrekulli, që situata të mos keqësohet më tej e të mos arrihet në ndeshje të armatosur, sepse nuk dihet ç’fund do të ketë, nësa dihet mirë se do të shkaktojë viktima e pakënaqësi të reja. Duhet të punohet shumë, për të mos arritur në ndeshje mizore, që mund ta mbysin përsëri vendin në gjak.








All the contents on this site are copyrighted ©.